Avokatet e Erion Veliajt publikuan nje deklaratë për mediat ne lidhje me seancën e sotme Gjyqësore ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas tyre, seanca e sotme gjyqësore ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, konfirmoi edhe një herë se procesi gjyqësor ka tejkaluar çdo kufi të standardeve minimale të një gjykimi të rregullt ligjor.
Edhe sot, Erion Veliaj u detyrua të vazhdojë mbrojtjen e tij në mënyrë vetjake, pavarësisht se gjykata i kishte caktuar një avokate, e cila ishte emëruar kundër vullnetit të tij.
Avokatja e caktuar nga gjykata deklaroi qartë gjatë seancës se nuk kishte pasur mundësinë reale për të njohur dosjen, as për ta konsultuar atë me Veliajn, dhe për këtë arsye kërkoi një periudhë kohore shtesë për të ushtruar mbrojtjen.
Kjo kërkesë, që ishte plotësisht e arsyeshme, u refuzua në mënyrë të pashpjegueshme dhe arbitrare nga gjykata, edhe pse bëhej fjalë për një mbrojtëse të caktuar nga vetë gjykata.
Pavarësisht kësaj, gjykata jo vetëm që refuzoi kërkesën, por u shpreh me batuta dhe fjalë tallëse ndaj profesionit të avokatës, duke denigruar një profesioniste të pavarur dhe të zgjedhur nga vetë gjykata.
Në mënyrë absurde, gjykata e konsideroi mbrojtjen të “ezauruar” në një situatë ku:
As avokatja e caktuar nga shteti,
As vetë Veliaj, nuk kishin pasur mundësinë të njihnin dosjen dhe, si pasojë, nuk mund të ushtronin një mbrojtje efektive.
Kur gjykata e pyeti Kryetarin e Bashkisë nëse dëshironte të bënte parashtrime mbrojtëse, Erion Veliaj u shpreh qartë se dëshironte të mbrohej, duke theksuar se kishte ardhur në seancë edhe i sëmurë, me temperaturë, vetëm për këtë qëllim. Por ai ngriti një pyetje të thjeshtë dhe thelbësore:
“Si mund të realizoj mbrojtje, kur nuk më jepet mundësia të njihem me dosjen? Këtë mundësi nuk ia keni dhënë as avokates që ju vetë keni caktuar.”
Në seancë ndërhynë edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë, të cilët theksuan se një cenim kaq i rëndë i të drejtës për mbrojtje nuk ishte parë dhe dëgjuar asnjëherë. Zgjidhja ishte elementare: t’i jepej mundësia Veliajt të njihej me dosjen, qoftë edhe përmes një laptopi. Edhe kjo kërkesë u refuzua.
Akoma më alarmante janë argumentet e ngritura nga prokuroria, të cilat, siç janë përsëritur edhe në seancën e masës së sigurimit, pretendonin se Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka paguar avokatë jashtë vendit për të “lobuar” kundër tyre, dhe për këtë arsye “ka mundësi të gjejë avokat edhe në Shqipëri”.
Ky argument është thellësisht keqdashës dhe juridikisht i pavlefshëm. Erion Veliaj nuk ka pretenduar kurrë se nuk mund të gjejë avokat, por ka kërkuar të mbrohet vetë, pikërisht për të pasur mundësinë të njihet me dosjen, sepse asnjë avokat nuk mund të realizojë mbrojtje pa konsultim me klientin. Ky konsultim është i pamundur pa njohjen e dosjes nga vetë Veliaj. Madje, edhe avokatja e caktuar nga shteti i shpjegoi gjykatës se: “Edhe sikur të isha njohur me dosjen (gjë që s’ka ndodhur), si mund t’i mbaj mend 61 mijë faqe dhe t’ia riprodhoj z. Veliaj, kur nuk ia japin as të printuara, as laptop që t’i lexojë në USB.”
Qëndrimi i prokurorëve përfaqëson një urrejtje të hapur ndaj avokatit dhe vetë të drejtës për mbrojtje. Në këtë logjikë të rrezikshme, ushtrimi i së drejtës për t’u mbrojtur është shndërruar në një rrethanë rënduese.
Absurdi arrin kulmin kur prokuroria paraqet si “provë” në gjykatë:
Një portal mediatik,
Opinionin e një gazetari dhe asnjë provë ligjore për të ashtuquajturin “lobim”, një aktivitet plotësisht i ligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjykata e pranon këtë portal si provë dhe mbi këtë bazë, e konsideron këtë një arsye shtesë pse Erion Veliaj duhet të vijojë të mbahet në burg, dhe pse qytetarët e Tiranës duhet të vijojnë të privohen nga drejtimi i bashkisë nga i zgjedhuri i tyre.
Kjo është arsyeja pse Veliaj duhet të ndalojë çdo aktivitet mbrojtës për veten e tij.
Përballë kësaj sjelljeje të hapur të njëanshme, në favor të prokurorisë dhe me një shurdhim të plotë ndaj kërkesave minimale të mbrojtjes, Erion Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, e cila, për arsye të paqartë, është shndërruar në një palë me ta.
Ky proces do të hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si shembulli ekstrem i shkeljeve brutale të çdo elementi të procesit të rregullt ligjor dhe përfaqëson një skandal të paprecedentë të ashtuquajturës “drejtësi e re” në Shqipëri.
@NewsIn.Al
