Friday, August 7, 2026
spot_img
HomeAktualitetiQytetari, politikani dhe ekonomia

Qytetari, politikani dhe ekonomia

Tre koncepte të ndryshme me një konstante të përbashkët.
Qytetar nuk do të thotë banor i vendit, por ai që ka të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur. Ka pasaportë dhe letërnjoftim të vendit, pavarësisht nga kombësia apo origjina.

Politikani është qytetar që është zgjedhur përmes një procesi zgjedhor, sipas sistemit politik të vendit.
Politikan është gjithashtu edhe ai që ushtron funksione publike dhe është emëruar nga qeveria për të zbatuar politikën e saj. Nëpunësi publik nuk është politikan. Është qytetar që ushtron detyra për të mirën e përbashkët dhe të një shteti të organizuar mirë.

Janë terma që duhet t’i kemi të qarta në mendjen tonë para çdo zgjedhjeje dhe përzgjedhjeje të përfaqësuesve në parlament.

Politikani është “shërbëtor” i popullit dhe ndër të tjera ka edhe detyrën legjislative.
Nuk është as sundimtar, as pronar, dhe është i detyruar t’i ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e tij me transparencë dhe përkushtim për të mirën e përbashkët dhe për përmirësimin e përgjithshëm të vendit.

Ju duket e çuditshme, apo jo? Por kështu duhet të jetë. Nuk është kështu, por duhet të bëhet.
Politikani nuk ndryshon nga qytetari, nuk është më i lartë, as nuk ka më shumë të drejta. Thjesht ka më shumë përgjegjësi. Kështu duhet të jetë, ashtu siç duhet të ketë edhe një pjekuri dhe përvojë.

Në asnjë rast nuk ka nevojë të jetë lider. Lider është, sipas Kushtetutës sonë, kryeministri, sepse ai është ai që mban timonin e vendit dhe ai që meriton lavdërimet për sukseset dhe mban barrën për dështimet.

Tani do të më pyesni: ç’lidhje ka kjo me ekonominë?
Ka dhe madje shumë , sepse si qytetari ashtu dhe politikani jetojnë në të njëjtin mjedis ekonomik.
Jetojnë, por jo domosdoshmërisht krijojnë mirëqënie në mënyrë të barabartë. Kur sheh pabarazitë, kur sheh që politikanët pasurohen në pak vite mandati, ndërsa qytetarët varfërohen, atëherë për fat të keq prishet shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit.

Ndonjëherë pyes veten, a ekziston vërtet kjo deklarata e pasurisë në këtë vend, apo është vetëm për sy e faqe? A funksionojnë vërtet drejtësia dhe mekanizmat mbikëqyrës që kemi, apo janë thjesht për t’i bërë përshtypje publikut?

Në vendin tonë ekziston ky paradoks: shifrat lulëzojnë, por jo shumica e qytetarëve dhe votuesve.
Sigurisht, nuk kam qëllim të nënvlerësoj punën e qeverive, sepse nga viti 2013 e këtej, zhvillimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Është si të jetosh në një vend tjetër.

Ajo që është evidente, është shtypja e klasës së mesme, e cila gjithsesi gjithmonë ka qenë e vogël në Shqipëri, nga klasa e pasur, si dhe rritja e klasës me të ardhura të ulëta, e cila ushqehet fatkeqësisht nga klasa e mesme.

Mos bëni thjesht ndarje matematikore me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), sepse do të përfundoni në rezultate të gabuara për shkak të rritjes së PBB-së dhe uljes së popullsisë.
Dëshironi apo jo, ekonomia e vendit mbështetet shumë te aktivitetet e paligjshme, të cilat megjithatë rrisin konsumin – një përbërës thelbësor i PBB-së.

Shkarkimi i fuqisë punëtore produktive vjen kryesisht nga klasa e mesme, që largohet për një të ardhme më të mirë në vende me sisteme më të zhvilluara. Në vende ku nuk ke nevojë të paguash që të gjesh një vend pune.

Pavarësisht nga qeverisja e suksesshme, e provuar kryesisht pas vitit 2017 sipas mendimit tim, ekzistojnë probleme të lindura dhe strukturore.
Nuk ka strategji dhe politikë të qartë në sektorët e ndryshëm të ekonomisë dhe të përgjegjësisë së çdo ministrie. Nuk ka programim dhe orientim të qartë. Çfarë dua, pse e dua, si e dua dhe mbi të gjitha: si do ta realizoj?

Më e keqja është konflikti ndërmjet ministrive. Njëra ecën kundër tjetrës, sikur të ishin kundërshtare dhe jo pjesë e të njëjtës qeveri.
Por janë në të njëjtën karrocë dhe duhet të bashkëpunojnë më ngushtë dhe më efektivisht për të mirën e përbashkët, jo për interesin personal.

Do ta mbyll me Bankën Qendrore, e cila vetëm së fundmi, pas një raporti të BERZH-it, zbuloi se duhet të fillojë procesin e përafrimit me ligjet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.
Nëse nuk e ke nisur ende harmonizimin e sistemit bankar dhe të politikës monetare, atëherë çfarë po bën?

Në një ekonomi të çorganizuar, me një monedhë kombëtare tepricë të mbivlerësuar për shkak të shtrembërimeve dhe transaksioneve në çfarëdo monedhe që të duash, pa kontroll e pa strategji, ti, Banka Qendrore, vendos kufizime si për shembull për kreditë për shtëpi, atëherë në rastin më të mirë je i paditur.

Përfundimet i nxirni vetë.

Les Miserables

@NewsIn.Al

 

 

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments