Vrasja e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku në zonën e Dukagjinit po hetohet nga autoritetet, të cilat kanë përqendruar vëmendjen te një konflikt i vjetër familjar që daton prej vitit 2017.
Sipas burimeve hetimore, një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me një konflikt të mëparshëm mes familjeve, ndërsa hetuesit nuk kanë përjashtuar as mundësinë që atentati të ketë lidhje me këtë ngjarje. Deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e krimit.
Aleksandër Koçeku u vra mbrëmjen e së shtunës në fshatin Lin, përgjatë aksit rrugor Kir–Prekal. Ai u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij, pasi një banor i zonës konstatoi mjetin e ndaluar jashtë kontrollit dhe njoftoi Policinë.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se ndaj 40-vjeçarit është qëlluar me armë zjarri në rrethana që krijojnë dyshime për një atentat të organizuar. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk janë identifikuar.
Për shkak të terrenit malor dhe mungesës së kamerave të sigurisë në zonë, hetimet janë përqendruar në analizimin e tabulateve telefonike dhe të dhënave të komunikimeve, me synim identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Grupi hetimor është rikthyer në vendin e krimit për të kryer veprime shtesë procedurale, ndërsa pritet të merren në pyetje familjarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi konfliktin e vitit 2017, në funksion të sqarimit të motiveve të mundshme të vrasjes.
@NewsIn.Al
