KOHËS
Lindemi mbi supet e kohës
Pastaj me misionin e paditur
kohën mbajmë mbi supe
Në dukje kjo më ngjan me letrën e bixhozit,
të njëjtë në dy anët e kundërta të saj
Njëherë ne poshtë kohës qëndruar,
herën tjetër mbi kohën lart
Mbi supe kohën shtrënguar,
nga koha shtrënguar pastaj
Akrepash këmbë e duar,
me zemrën zemrek tik-tak.
Lindemi mbi supet e kohës
Mbi supet tona koha lind
Herë i jemi asaj mirënjohës,
herë e vrasim atë pa mëshir’
Herë na mposht shikimi i saj joshës,
herë kujtojmë se për ne bëhet fli
Mbetur një jetë rrotullonjës,
rreth kohës, jashtë kohës, Sizif.
@Edmond Shallvari
#NewsIn.Al
