Saturday, June 6, 2026
spot_img
HomeKulture / ArtProf. as. dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti...

Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, promovoi, studimin “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”

Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, promovoi ne teatrin e qytetit, në bashkëpunim me Bashkinë Korçës, studimin “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” ku paraqet jetën dhe veprën e gjërë të Kristo Floqit në politikë, media, jurisprudencë, kulturë, komedi, dramaturgji, poezi por fokusohet veçanërisht te veprimtaria e Kristo Floqit si Ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti ku Floqi ishte një nga juristët më të shquar të kohës, sepse ishte organizues i drejtësisë shqiptare në Qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip. Nje nga drejtuesit e degeve te federates “Vatra”, e cila themeloi Biblioteken Publike ne Korçë ne 21 korrik te vitit 1921.
Kristo Floqi është një personalitet poliedrik, vepra e të cilit ngjall kureshtje dhe ngacmon çdo studiues të interesuar, veçmas, për periudhën e gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe pse i diplomuar në fushën e jurisprudences, roli i tij si njeri aktiv në fushën e kulturës dhe mendimit shqiptar duhet çmuar, veçanërisht në kontekstin kohor si një nga lëvruesit sasiorë dhe cilësorë të gjinisë dramatike, vepra e të cilit u pëlqye dhe u receptua gjerësisht nga audienca e kohës, nëpërmjet vënies në skenë nga, pothuaj, të gjitha trupat e teatrove amatore të Shqipërisë në atë kohë, veçanërisht komedia e tij nëpërmjet së cilës ai u bë autori më prodhimtar dhe më popullor i periudhës. Horizonti i pritjes për komeditë e Kristo Floqit ka qenë më i ndjeshëm ndaj shfaqjeve në skenë të veprave të tij, sesa ndaj tyre si tekst letrar. Në këtë kuptim, është e përligjur vëmendja që mund t’i kushtohet dhe aspektit të pritjes, apo receptimit të veprës së tij nga publiku, nëpërmjet vënies së saj në skenë.
Kristo Floqi është botues i së përjavshmes “Dielli” në Boston, “Zëri i popullit”, në Nju Jork, i të përmuajshmes “Agimi” në Shkodër, i gazetës “Indipendenca Shqiptare” në Tiranë etj. Por Kristo Floqi është dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të periudhës i cili shkroi dhe botoi rreth 20 komdi dhe farsa, tre drama, një tragjedi, ndërsa si poet ai u paraqit me vëllimet “Tingëllimat e zembrës”, ”Shkëndija ose antologji shkollore” dhe me poemat “Dëshmorët e Rilindjes” dhe “Shqyptarët”. Për të studiuar e pozicionuar më mirë veprën e tij dramaturgjike duhet ta shohim atë, së pari, në rrafshin e premisave historiko–letrare të zhvillimit të dramaturgjisë shqiptare, deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Në këtë periudhë dramaturgjia shqiptare, megjithëse nuk u zhvillua deri në atë masë që u zhvillua poezia dhe proza, njohu një zhvillim të ri. Në dramaturgjinë e kësaj periudhe u bënë përpjekje për krijimin e figurave artistike dhe karaktereve dramatike me botëkuptimin dhe prirjen realiste të pasqyrimit të realitetit historik dhe shoqëror, me gjithë notat e sentimentalizmit e melodramatizmit që e karakterizonin atë. Në suazën e zhvillimit të llojeve dramatike dallohet zhvillimi i komedisë, e cila ishte më e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore. Në këtë periudhë (1912-1927), K.Floqi shkroi rreth 20 komedi dhe farsa, të cilat u botuan më vete, ose në organe të ndryshme të shtypit të kohës.
Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij janë komedi, për nga problematika që trajtojnë, për nga mënyra si janë realizuar karakteret dhe situatat komike, apo mënyrës si janë strukturuar subjektet dhe ndërtuar kontradiktat komike. Ndërsa një pjesë e krijimtarisë komike janë farsa, pra vepra komike me një përmbajtje të lehtë që provokojnë gëzim dhe hare, për shkak të humorit që shndërrohet si qëllim në vetvete, situatave absurde, ngjarjet e pamundura, ekzagjerimi i vesit etj. Komeditë e K.Floqit patën një reagim pozitiv nga publiku, pasi ai vuri në qendër të tyre probleme të mprehta që shqetësonin shoqërinë e kohës kur ai i shkroi ato, apo probleme që kishin të bënin me aspekte të ndryshme të jetës familjare. Koha kur Kristo Floqi krijoi pjesën më të madhe të komedive dhe farsave të tij, përkoi me ndryshime të rëndësishme politiko-shoqërore. Për këtë arsye, një pjesë e komedive të tij kanë në fokus problematikën politiko-shoqërore. Si njohës dhe vrojtues i mirë i problemeve të realitetit shqiptar, duke parë nga afër problemet, prapaskenat dhe dështimet e disa qeverive ai satirizoi me guxim klika e personazhe negative, që po e çonin vendin drejt kaosit. Gama e problemeve që trajton ai, në komeditë e tij, është e gjerë dhe duket se autorit nuk i ka shpëtuar asnjë fenomen dhe dukuri negative. KRISTO FLOQI SI DRAMATURG
Kristo Floqi shquhet po ashtu edhe si një nga autorët e mirënjohur të dramave të kësaj periudhe. Ai në dramat e tij do ta drejtonte vëmendjen tek problemet me të mprehta të kombit shqiptar, do të vinte në qendër të tyre dedikimin e shqiptarit ndaj idealit të lirisë, do të pasqyronte botën e pasioneve të bashkatdhetarëve të tij dhe aftësinë e tyre për të përballuar sfidat më të mëdha në luftën për ekzistencë
Kristo Floqi si poet, tiparet kryesore të stilit poetik të autorit, që shfaqen në këtë vëllim janë, lirizmi i thellë, psikologjizmi që buron prej tij, introspeksioni, sinqeriteti, shpërthimi i ndjenjës dhe përshkrimi. Lirizmi i thellë dhe depërtues që qëndis gjithë perlat dashurore të tij, krijohet prej faktit që kjo poezi është një lirikë, e pasur me konkretësinë e ndjenjës, dhimbjes dhe gëzimit të çastit.
#bibliotekadestinacionim
#bibliotekaekorce

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments