A do të zgjohet shteti ynë?
Shkodra, gjithë vëmendja shkon atje!
Korça dhe Shkodra janë dy prej qyteteve më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë, me histori të pasur dhe tradita që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar. Ndërsa Korça vazhdon të ruajë paqen dhe trashëgiminë e saj, ngjarjet e fundit në Shkodër janë alarmante, tronditëse dhe për fat të keq të paralajmëruara.
Atentati tragjik në Shkodër, ku bandat kriminale morën jetën e tre personave dhe plagosën të tjerë, duke përfshirë humbjen e një gruaje të pafajshme si dëm kolateral, na kujton ngjarje të ngjashme në vendin tonë, por edhe në vende të tjera. Sa pa fat! Por a është çështje fati?
Kujtojmë rastin në Meksikë, kur gjatë një konfrontimi mes kartelave, humbi jetën kardinali Juan Jesús Posadas Ocampo si viktimë e pafajshme. Atje, pas zemërimit publik dhe protestave masive, shteti u detyrua të marrë masa ekstreme kundër krimit të organizuar.
Pyetja që lind është: Kur do të marrë shteti ynë masa të forta dhe efektive për të luftuar këto fenomene kriminale? A do të presim ende tragjedi të tilla për t’u zgjuar? Të vazhdojnë të hanë kokat e tyre përsëri?
Është koha për veprim nga autoritetet. “Le të mos lejojmë që hijet e krimit të errësojnë të ardhmen tonë dhe trashëgiminë kulturore që na bën krenarë.” Nuk mund dhe nuk duhet të lemë gjërat në mëshirë të fatit. Sot më shumë se kurrë ndjenja qytetare dhe solidariteti duhet të mbizotërojë dhe ne duhet të kërkojmë me ngulm marrjen e masave ekstreme për parandalim dhe ndëshkim!
Erald Fejzulla
@NewsIn.Al