Home Aktualiteti “A mund të ndërtohet një institucion që mbron artin pa pretenduar ta...

“A mund të ndërtohet një institucion që mbron artin pa pretenduar ta sundojë atë?” / Zhuljeta Grabocka Çina

Screenshot

Rikthimi i një Lidhjeje të Shkrimtarëve në Shqipëri duhet jetë një debat i madh kulturor, por edhe një provë delikate për vetë lirinë e letërsisë.
Pikërisht këtu lind polemika.
A ka nevojë letërsia për institucione përfaqësuese, apo çdo organizim rrezikon të kthehet në një mekanizëm hierarkie, përjashtimi dhe kontrolli estetik?
Nga njëra anë, mungesa prej dekadash e një strukture serioze ka krijuar një boshllëk. Shkrimtari shqiptar sot ekziston i fragmentuar. Pa arkivë kombëtare të gjallë, pa mbështetje reale ekonomike, pa kritikë profesionale, pa përfaqësim ndërkombëtar dhe shpesh pa asnjë sistem meritokracie.
Liria absolute e botimit krijoi pluralizëm, por njëkohësisht edhe kaos estetik, inflacion mediokriteti dhe zbehje të autoritetit kulturor. Në këtë kuptim, një Lidhje e re mund të shihet si nevojë organizuese dhe jo nostalgji institucionale.
Historia shqiptare e njeh mirë momentin kur “Lidhja” u kthye në instrument ideologjik, ku arti filtrohej nga dogma. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për riformatim do të duhej të nisë nga një parim themelor. LIDHJA nuk mund të jetë një organizatë kontrolli, por një hapësirë autonomie kulturore.
Hapi i parë organizues nuk do të ishte zgjedhja e kryetarit, por thirrja e një Kuvendi Kombëtar të Hapur të Letërsisë Shqipe. Një forum ku të marrin pjesë poetë, romancierë, kritikë, përkthyes, botues, studiues, autorë të rinj dhe diaspora letrare. Ky kuvend do të kishte vetëm një detyrë themelore. Hartimin e një statuti demokratik dhe modern, që garanton:
pavarësinë nga partitë politike; rotacionin e drejtimit;
transparencën financiare; mosndërhyrjen në orientimet estetike; mbrojtjen e lirisë së shprehjes artistike.

Një Lidhje moderne duhet të krijojë mekanizma mbështetjeje, jo censurë morale apo estetike.
Masat konkrete që do ta bënin funksionale do të ishin.
Krijimi i një fondi për autorët e rinj; rezidenca krijuese dhe bursa për shkrimtarët; mbështetje për përkthimin e letërsisë shqipe jashtë vendit; rikthimi i kritikës serioze përmes revistave dhe tribunave letrare; arkivimi digjital i letërsisë bashkëkohore; organizimi i festivaleve kombëtare dhe rajonale; mbrojtja e të drejtës së autorit në epokën digjitale dhe të inteligjencës artificiale.
Në një kohë ku rrjetet sociale prodhojnë famë të menjëhershme dhe ku botimi është shpesh vetëm akt financiar, Lidhja nuk duhet të shpallë “elitën”, por të krijojë standarde serioze vlerësimi: kritikë profesionale, jurira të pavarura, konkurse anonime dhe debat të hapur estetik.
E ardhmja e saj do të varej nga aftësia për të kuptuar se letërsia sot nuk jeton më në piramida autoriteti.
Nëse lidhja do të arrijë të bëhet një institucion i kujtesës kulturore dhe i mbështetjes së talentit, ajo mund të rikthente një bosht serioz në jetën letrare shqiptare. Nëse do të binte në nostalgji autoritare, klientelizëm apo provincionalizëm kulturor, do të kthehej shumë shpejt në një dekor pa ndikim.
Pyetja më thelbësore nuk është:
“A duhet një Lidhje e Shkrimtarëve?” por “A mund të ndërtohet një institucion që mbron artin pa pretenduar ta sundojë atë?”

Zhuljeta Grabocka Çina

@NewsIn.Al

Exit mobile version