Home Aktualiteti Arrestohet në Rusi “Salvatore” alias Shpëtim Aliu, në kërkim nga SPAK për...

Arrestohet në Rusi “Salvatore” alias Shpëtim Aliu, në kërkim nga SPAK për trafikun ndërkombëtar të kokainës

Screenshot

Arrestohet në Rusi Salvatore alias Shpëtim Aliu, i cili konsiderohet si një nga krerët më të rrezikshëm të organizatës kriminale që vepronte mes Amerikës Latine, vendeve të BE-së dhe Shqipërisë. Sipas burimeve, ai është ndaluar pak ditë më parë dhe vetëm ditën e sotme është njoftuar Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme. Salvatore Aliu nga Elbasani dyshohet se furnizonte me drogë  kokainë konkretisht, pesë grupime kriminale të drejtuara nga Dritan Gjika, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, grupin kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepa, grupin kriminal të drejtuar nga Armando Pacani, si dhe grupime të tjera të cilat vepronin dhe bashkëpunonin me të. Salvatore Aliu gjithashtu akuzohet se furnizonte me drogë edhe grupin e drejtuar nga Sokol Biba. Këto grupime kriminale dyshohet se kanë sjellë sasi të mëdha parash që janë injektuar në ndërtime në vend dhe janë sekuestruar miliona euro në Shqipëri.

Aliu është një prej emrave kryesorë të dosjes së SPAK, ku autoritetet shqiptare kanë hetuar një rrjet të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në qershor, ndaj tij u caktua masa “arrest me burg”, ndërsa në kuadër të operacionit u shpallën në kërkim edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet.

SPAK e konsideron Shpëtim Aliun një figurë të rëndësishme në organizimin dhe furnizimin me kokainë të disa grupeve shqiptare. Në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni i enkriptuar SKY ECC, emri i tij shfaqet në kontakte me persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Hetimi i SPAK lidhet me pesë episode të dyshuara të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës. Prokuroria ka ushtruar kontrolle në 23 banesa, zyra dhe ambiente të shoqërive tregtare, ndërsa janë vendosur masa sigurie dhe janë sekuestruar pasuri që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal dhe pastrimin e parave.

Sipas SPAK, hetimi përfshin veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “pastrimit të produkteve të veprës penale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.

Njoftimi policisë

Policia e Shtetit/Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.

Arrestohen në Rusi dhe në Itali, 2 pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale në fushat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe lëvizjes ilegale të emigrantëve.

Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:

-S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.

Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.

@NewsIn.Al

Exit mobile version