KreuAktualitetiAutogola të nxitimit politik…/Shpëtim Luku

Autogola të nxitimit politik…/Shpëtim Luku

Autogola të nxitimit politik

Kur mblidheshim në redaksi për të raportuar se çfarë kishim mundur të bënim gjatë ditës dhe se çfarë shkrimesh kishim, nuk ishim pak ata prej nesh që përfundonim duke raportuar vëzhgime të thjeshta. Kjo ndodhte dhe imponohej nga kontradikta mes kërkesës së llogarisë për rendiment dhe për të botuar çdo ditë, dhe pamundësisë për të patur kurdoherë shkrime që ia vlenin.
​Egzaktësisht këto skena më kujtojnë disa ministra të rinj kur zgjidhen. Të vetëdijshëm se kundrejt tyre ka pritshmëri, të vetëdijshëm që janë të monitoruar qoftë nga publiku e qoftë nga “ministri dhënësi,” ata tentojnë të duken aktivë që në ditët e para. Por për dreq, në vend që të godasin në shenjë, prodhojnë autogola.
​Ja tipikja si ilustrim i kësaj është ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
​Në fillim, ajo kreu veprimin e parë të shkarkimit të një zv.ministri nëpërmjet një thashethemi. Sigurisht që dëshironte të përcillte një mesazh vendosmërie e morali, por bëri të kundërtën: shkaktoi konfuzion mbi standardet dhe bazën e vendimmarrjes.
​Tani bëri edhe “projektin” e dytë: bllokimin pa paralajmërim të skuterave elektrikë. Edhe kjo si rezultat i ankesave të shumta nga populli-sikurse pranoi vetë ministrja.
​Personalisht jam një kundërshtar i tyre, sepse për shumë të rinj skuterat janë kthyer nga mjete transporti në lodra të rrezikshme. Shikoj në rrugë gara mes të rinjve, shikon nga dy vetë në to, shikon prindër që kanë marrë edhe fëmijët me to, etj. Ndaj disa rregulla duhen. Por më parë vendosen rregullat dhe korniza ligjore, se sa bëhet ndalimi i tyre arbitrar.
​Por ministrja, me sa duket, ka vendosur të veprojë nëpërmjet letrave nga populli dhe ankesave, duke i kthyer shqetësimet e momentit në vendime urgjente. Ndaj, le të presim se çfarë ankesë tjetër do mbërrijë në zyrën e saj e do përkthehet në veprim ekzekutiv.
​Nevoja për aktivitet e rendiment, qoftë në redaksi apo në Ministri, nuk duhet të jetë në kurriz të cilësisë, substancës dhe strategjisë së menduar mirë. Përndryshe, rezultatet do të jenë vetëm “vëzhgime të thjeshta” dhe “autogola” politike.

 

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit