Forca të shumta policie kanë zbarkuar pranë Kryeministrisë në Tiranë në kuadër të masave të sigurisë që janë marrë nga Policia e Shtetit për shkak të protestës kombëtare që Partia Demokratike ka thirrur në orën 18:00.
Burimet nga policia bëjnë me dije se rreth 1300 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA për çdo situatë të papritur.
Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar militantët që do të shfaqen të dhunshëm.
Burime bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Në mbledhje janë dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës.

@NewsIn.Al
