Partia Socialiste Korçë
Deklaratë Për Shtyp
Nisur nga reagimet e ditëve të fundit për rikonstruksionin e Muzeut Kombëtar të Arsimit, për të cilin realisht, duhet të kishte vlerësim për një investim madhor i cili së pari shpëtoi godinën e amortizuar nga vitet, që rrezikonte shembjen por edhe të ruante një nga vlerat më të spikatura të trashëgimisë sonë kulurore. Pas një pune të gjatë, me bashkëpunimin e shumë komponenteve u arrit muzealizimi dinjitoz ashtu siç i takon Muzeut Kombëtar të Arsimit. Debati për gërmat e ABC-së është një debat estetik, që mund të zhvillohet ndërmjet ekspertësh të urbanistikës, mund të ketë pro edhe kundër, por nuk ka lidhje me thelbin që është fakti se qytetit ju rikthye me më shumë vlerë muzeu me i rëndësisishëm i tij, pasi identiteti i atij muzeu nuk janë tre shkronja të levizura nga vendi i tyre fillestar, por është ajo që muzeu mbart dhe percjell për vizitorët e shumtë dhe ata që minimalisht kanë pasur kureshtjen dhe e kanë vizituar dhe jane njohur me vlerat historike. Sa i takon kësaj, trajtimi i historisë së Mësonjëtores së Parë Shqipe dhe ato çka ajo përmban në këtë muze të rikonstruktuar janë dyfishuar.
Për herë të parë në fondin e këtij muzeu janë ekspozuar vepra dhe objekte relike dhe unike si penda e shkrimit e mësueses Persefoni Treni, libërlidhësja e Konstandin Kristoforidhit, flokët e mësueses Sevasti Qiriazi, dhurata e veçantë që çifti Kenedi i bëri Mësonjëtores së Vashave (fjalori anglisht dhe stativi metal+dru) një set i rrallë që sot gjendet i ekspozuar aty, e sa materiale të tjera, botime, objekte që i janë shtuar muzeut sot, duke e bërë vërtet një qendër të identitetit shqiptar dhe një tempull të pakrahasueshëm. Materialet video dhe audio të personaliteteve të shkollës shqipe, si Parashqevi Qiriazi, Dhimitër Berati, Spiridon Ilo, Persefoni Treni, Ilo Mitke Qafzezi, Spiro Konda, etj. Sot fal zhvillimit të teknologjisë, vizitorët mund t’i shohin nga ekrani dhe t’i degjojnë me zërin e tyre origjinal duke e bërë kështu edhe më atraktiv për të rinjtë.
Partia Demokratike dhe përfaqësuesit e saj e mbajnë këtë qëndrim vetëm sepse janë në fushatë elektorale, por kur kanë qenë në pushtet kanë treguar se nuk dinë të respektojnë asnjë vlerë të trashëgimisë tonë historike dhe kulturore. Në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike nuk u krye asnjë investim qoftë edhe minimal tek kjo godinë simbol i qytetit dhe u la të degradojë. U shemb godina e shtëpisë së flamurit dhe u tentua të ngrihej atje një pallat. U desh të vinte Partia Socialiste në pushtet që kjo godinë, po aq emblematike për qytetin tonë të ndërtohej ashtu siç ishte. Meqënëse po flasim për mësonjëtoren, me firmën e ish- Ministrit të Kulturës të Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferri, u hoq nga lista e monumenteve të kulturës godina ku është çelur Mësonjëtorja e Vashave, Kolegji i Parë i Vajzave në ballkan( mbrapa godinës së ish pallatit të kulturës, sot bashkisë ), duke i hapur rrugë shembjes së kësaj godine. U la pas dore në degradim deri në shkatërrim të godinave, Pazari i Vjetër i Korçës, që sot falë investimit model të financuar nga qeveria e Partisë Socialiste është kthyer në polin kryesor turistik të Korçë.
Ata që janë mësuar të flenë gjumë gjithë kohës, dhe ta lenë trashëgiminë kulturore në harresë, me godina të degraduara apo me shkatërrimin e disa të tjerave, sot nuk kanë moral pasi janë zgjuar nga gjumi letargjik, të përdorin opinionin publik me tymnaja a thua se janë kaq të shqetësuar për historinë. Ftojmë Partinë Demokratike të vizitojë nga afër muzeun dhe në vend që të merret me detajet estetike, të njihet me objektet dhe vlerat historike që muzeu mbart brenda tij.
