Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetim disiplinor për 8 policë të Burgut të Fierit, pas sherrit që ndodhi në ambientet e paraburgimit mes anëtarëve të grupeve kriminale. Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka firmosur edhe urdhrin për përjashtimin e 8 policëve, 2 prej të cilëve akuzohen për mosdhënie informacioni, ndërsa të tjerët për mospërmbushje të detyrave.
Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun që çoi në përplasjen mes Aldo Gjinit të grupit të Rrajave dhe Jurgen Zotos me Denis Bajrin, pjesë e grupit të Shkodrës. Burime i thanë Report Tv se 3 të paraburgosurit prej kohësh kalonin kohë bashkë në ambientin e përbashkët të sektorit dhe se më parë nuk kanë pasur konflikte. Hetuesit e kanë përjashtuar pistën e konfliktit të çastit dhe dyshojnë se plagosja e anëtarit të grupit famëkeq të Shkodrës të ketë qenë një mesazh nga grupet rivale, përfshirë këtu edhe grupin e Ibrahim Licit, me të cilin njihen për shumë përplasje të ashpra.
Nga dëshmia që i është marrë Denis Bajrit, grupi hetimor ka arritur të zbardhë edhe dinamikën e ngjarjes. Në momentin e sulmit, burimet sqarojnë se Gjini dhe Zoto i kanë shkuar Bajrit me një telefon në dorë, duke i thënë “këtë mesazh e ke nga filani”. Më pas e kanë sulmuar me thikë artizanale. Në këtë moment Denis Bajri është kundërpërgjigjur dhe palët janë përplasur fizikisht. Të plagosur mbetën Bajri dhe Zota, i cili mësohet të ketë pësuar një plagë për shkak të goditjes me unazë që ka marrë nga anëtari i grupit të Bajrave. Të dy u dërguan në spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
#denisbajr#ibrahimlici #burguifierit
@NewsIn.Al
