Home Aktualiteti “Dy dashuri dhe një veshkë” – komedia e rradhës e regjisorit korçar...

“Dy dashuri dhe një veshkë” – komedia e rradhës e regjisorit korçar Guri Koço

Screenshot

“Dy dashuri dhe një veshkë” – komedia e rradhës e regjisorit korçar Guri Koço

Pas suksesit në premierën e shfaqjes për publikun pogradecar, aktorët e mirënjohur korçarë Albano Prodani me Guri Koço, ngjiten në skenën e tyre, në skenën e Teatrit A.Z. Çajupi mes publikut korçar që aq shumë i adhuron!

Po postoj shkrimin e kolegëve të Pogradeci Press për shfaqjen që artistët dhanë para publikut pogradecar:

– Një mbrëmje ndryshe, ku e qeshura dhe reflektimi ecin krah për krah, është sjellë për publikun pogradecar përmes komedisë “Dy dashuri dhe një veshkë”, e cila është ngjitur në skenën e Qendrës Kulturore në Pogradec nën regjinë e Guri Koços.

Me interpretimin e Guri Koço, Alban Prodani, Adea Cale dhe Dhimitraq Tasellari, vepra ndërton një tablo të ndjeshme mes humorit dhe dramës, duke sjellë historinë e dy njerëzve të varfër në kushte, por të pasur në shpirt, të cilët mbi gjithçka vendosin lidhjen e tyre njerëzore. Një tragjikomedi që rrjedh natyrshëm nga përditshmëria, duke e bërë publikun herë të qeshë, e herë të ndalet në mendim.

Vetë regjisori dhe aktori Guri Koço ndalet në sfidat e realizimit të kësaj vepre në skenë, duke theksuar përkushtimin dhe punën për të sjellë një produkt artistik të denjë për publikun. Suksesi i shfaqjes në Pogradec ka hapur rrugën për një tur të mëtejshëm, ku komedia do të vijojë në Korçë në datat 26, 27, 28 dhe 29 mars, në skenën e teatrit të qytetit.

Për aktorin Alban Prodani, kjo shfaqje përmbushi pritshmëritë e kastës, ndërsa rikthimi në skenën e qytetit të tij i shton edhe më shumë emocionet e interpretimit.

Ndërkohë, për aktoren e re Adea Cale, dy netët me sallë të mbushur plot në Pogradec përbëjnë një moment të veçantë në rrugëtimin e saj artistik, duke vlerësuar bashkëpunimin me aktorët profesionistë si një përvojë të rëndësishme dhe frymëzuese.

Shfaqja u prit me interes dhe u vlerësua nga publiku, ndërsa premiera e radhës pritet të zhvillohet në qytetin e Korçës, aty ku kjo histori njerëzore do të vijojë të marrë jetë në skenë./Pogradecipress.al

@NewsIn.Al

Exit mobile version