Personat që shikoni në foton e mësipërme janë Andi Hasani, 45 vjeç, dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç, dy personat që ranë në prangat e policisë së Tiranës pasi vodhën sende me vlerë në një kasafortë në një banesë në zonën e Kinostudios. Ata dyshohen edhe si autorë të vjedhjeve të tjera në kryeqytet si edhe në Durrës.
Sipas raportimeve në media, të arrestuarit kanë ruajtur pronarin e banesës ku vodhën kasafortën në zonën e Kinostudios në Tiranë derisa doli nga shtëpia dhe përmes një çelësi të punuar nga Goxhaj kanë mundur të hyjnë brenda dhe të marrin kasafortën me gjithçka kishte brenda.
Nga kontrollet në shtëpinë e Agron Goxhajt, i cili rezulton me precedent penal, i arrestuar më parë për plagosje në Shkodër, u gjet punishtja për falsifikim të çelësave të dyerve. Me të njëjtën skemë dyshohet se kanë vjedhur bashkë edhe shtëpi të tjera në zona të ndryshme.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se në banesën e shtetasit R. O. ishte vjedhur një kasafortë me sende me vlerë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Access”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit. Si rezultat i operacionit, u identifikuan, u kapën në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes dhe u vunë në pranga shtetasit A. H., 45 vjeç dhe A. G., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, më datë 03.04.2026, u kapën në flagrancë menjëherë pasi kishin vjedhur një kasafortë, brenda së cilës kishte sende me vlerë dhe 1 armë zjarri me municion, e cila posedohej me leje nga pronari i banesës, në rrugën “Zihni Sako”. Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur si biznes nga shtetasi A. G., u konstatua se ky shtetas modifikonte çelësa të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve.
Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se kanë kryer vjedhje të shumave të parave dhe sendeve me vlerë në një banesë në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2″, – sqaroi Policia.
@NewsIn.Al
