“Furtunë” ndryshimesh në Polici, largohen shefa dhe…
Policia e Tiranës po kalon një valë të re ndryshimesh në strukturat e saj policore, me transferime dhe rotacione që kanë prekur drejtues të njësive kyçe dhe dhjetëra efektivë të policisë.
Këto lëvizje kanë përfshirë kryesisht komisariatet e kryeqytetit dhe Policinë Rrugore të Tiranës. Shefi i krimeve i Komisariatit Nr.5 është transferuar në komisariatin e Vorës, ndërsa shefi i krimeve të Vorës ka kaluar në postin që u lirua në Komisariatin Nr.5.
Edhe në Komisariatin Nr.1 është bërë një ndryshim në krye të sektorit të krimeve; shefi aktual është transferuar te Policia Rrugore e Tiranës, konkretisht në sektorin e aksidenteve.
Ndërkohë, në Policinë Rrugore të Tiranës është shënuar një seri e gjerë lëvizjesh: Rreth 20 efektivë që mbulonin linjat dhe trafikun janë transferuar, së bashku me katër komandantë të trafikut dhe linjave.
Një nga emrat më të përfolur në këto ndryshime është Jetnor Shira, shefi i trafikut urban në Tiranë, i cili është larguar nga detyra, ndërsa në vend të tij është emëruar Megian Ademaj. Ende nuk dihen arsyet e ndryshimeve dhe transferimeve në policinë e kryeqytetit.
@NewsIn.Al
