Ka qytete që kanë evente. Ka edhe qytete që i bëjnë eventet të duken sikur kanë lindur për ta.
Korça është një prej tyre.
Është ndoshta i vetmi qytet në Shqipëri ku dëshira për të festuar, për t’u mbledhur, për të dalë, për të bërë qejf dhe për ta shijuar jetën duket sikur është pjesë e ADN-së së qytetit. Dikush e quan “dënglën korçare”. Dhe le ta pranojmë: edhe ky është një përkufizim që vetëm Korça mund ta kthejë në kompliment.
Para 20 vitesh, Festa e Birrës nisi si një event. Sot është kthyer në një histori.
Një histori që ka ndihmuar ta bëjë Korçën atraktive, ta sjellë qytetin në vëmendje, të krijojë arsye që njerëzit të vijnë, të qëndrojnë, të konsumojnë, të njohin qytetin dhe mbi të gjitha, të rikthehen.
Sepse një qytet nuk bëhet atraktiv vetëm nga bukuria që ka. Bëhet atraktiv edhe nga ajo që di të krijojë.
Dhe Korça ka ditur të krijojë.
Por pas 20 vitesh, sfida nuk është më thjesht të vazhdojë të bëjë evente. Sfida është t’i çojë ato në një stad tjetër. Më lart në organizim, më lart në përmbajtje, më lart në standard, më lart në impakt.
Sepse një event i madh nuk është vetëm muzikë, skenë dhe njerëz.
Është hoteleri. Është gastronomi. Është transport. Është tregti. Është punësim. Është turizëm. Është promovim. Është ekonomi lokale.
Është një zinxhir zhvillimi që nis nga një festë, por nuk mbaron aty.
Dhe Festa e Birrës ka edhe një avantazh që pak vende të tjera në Shqipëri mund ta ofrojnë: hapësirën ku zhvillohet.
Pastaj, sigurisht, vijnë gjithologët e rrjeteve sociale.
Ata janë pjesë e pandashme e çdo eventi të madh shqiptar. Sepse në Shqipëri, edhe po të shpikej ilaçi që shëron kancerin, qoftë larg tek Festa e Birrës në Korçë, me siguri do të gjendej dikush poshtë postimit për të thënë: “Po pse pikërisht aty?” ose “Unë di një që e bën më mirë”.
Pra, edhe për Festën e Birrës do të ketë kritikë, ekspertë të improvizuar, specialistë të organizimit, të turizmit, të muzikës, të ekonomisë dhe, mbi të gjitha, të gjithçkaje.
Le t’i shkruajnë. Do t’i shkruajnë!
Edhe kjo është pjesë e festës.
Sepse një event që nuk komentohet, ndoshta nuk ka lënë shumë gjurmë.
Por përtej zhurmës së rrjeteve, mbetet një fakt i thjeshtë: 20 vite më vonë, Festa e Birrës është ende këtu. Dhe Korça është ende atraktive.
Sepse Korça nuk ka nevojë për Festën e Birrës që të jetë Korçë.
E kundërta është më e vërtetë.
Festa e Birrës është e suksesshme sepse zhvillohet në Korçë.
Sepse Korça ka një histori dhe një mënyrë të vetën për ta shijuar jetën.
Një mënyrë që nuk kopjohet.
Një mënyrë që mund të quhet “dëngël”, por që në të vërtetë është diçka shumë më e bukur: aftësia për të mos harruar se jeta duhet edhe shijuar

Josil Duro
@NewsIn.Al