Kaq më rrëmben malli për nënën e babain sa kur fle pérpiqem të hyj në ëndërrat që shoh,të kridhem aty brenda,të bëhem njësh me ta. T’i rrok,të ngashërehem,t’u mbaj erë si një kuç i vogël,të fërkohem mes tyre.Por më del gjumi dhe në çast më vjen ndér mend një episod nga fëmijéria.
Isha kérthi,mbase klasa e dytë a e tretë fillore. Në kinema Morava në Korçë shfaqej filmi,”Dëgjoje këngën time” me Hozeliton e vogël,me atë fëmijë që na emociononte në çdo tingull. Kaq herë e kisha parë filmin sa dhe kur dilja nga kinemaja e deri në shtëpi e këndoja me zë të lartë,”O violino cigano..” Një mbasdite shkova ta rishihja me vëllain e vogël. Sa nisi Hozelito ia nisa dhe unë. Po edhe ca të tjerë. Vëllai kaq u gëzua sa më shtyu:
-Dil bre dhe këndoje te skena. Dil bre,këndoje me Hozeliton.
E dëgjova se nuk doja t’ja prishja ,por edhe t’u tregoja korçarëve se unë isha djali i tyre plot talent. E me vrap drejt skenës,hypa sipér u afrova te Hozelito e sa nisa të këndoj takova jo çunin që këndonte,por një perde të bardhë që shtrembohej e epej sapo e cikja. Nga salla nisën klithmat,zbrit mistrec,ore kush e la këtë pizeveng të hypë atje… Ca më qëlluan me koçanët e misrit të pjekur që sapo kishin ngrënë. Zbrita,u ula në karriken time dhe gati po qaja. Vëllai më pèrqafoi. U pérlot dhe ai.
Jashtë i tregova se Hozelito nuk ndodhej fare atje në skenë. Mbase qe mbështjellë me perden,por kur unë e preka ai s’u ndje,s’u bë i gjallë. Ama këndonte dhe ashtu,shtrirë te perdja,i thashë vëllait.
Kjo ngjarje më vjen ndér mend sapo tentoj të hyj në ëndérrat që shoh. Babai e nëna si Hozelito. Më shfaqen, më qeshin,lozin me mua,por askush nuk e di ku janë,ku rrinë,ku flenë,ku qeshin e ku qajnë të shtrenjtët e mij…Po unë tentoj ta çaj atë perde.Çdo natë. Në çdo ëndërr…
Kaq më rrëmben malli për nënën e babain sa kur fle pérpiqem të hyj në ëndërrat që shoh… AGIM XHAFKA
Artikuj të ngjashëm

