Home Aktualiteti Kletjon Kita:” Qetësia publike dhe zhvillimi i biznesit duhet të ecin së...

Kletjon Kita:” Qetësia publike dhe zhvillimi i biznesit duhet të ecin së bashku.”

Screenshot

Qetësia publike dhe zhvillimi i biznesit duhet të ecin së bashku.

Mbrojtja nga ndotja akustike është një detyrim që na përket të gjithëve dhe askush nuk e vë në diskutim nevojën për të garantuar qetësinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Por, njëkohësisht, çdo rregull apo kufizim që prek aktivitetin e bizneseve duhet të mbështetet në argumente të qarta teknike e shkencore dhe të jetë i zbatueshëm në praktikë.

Korça e ka ndërtuar identitetin e saj si qytet turistik mbi mikpritjen, gastronominë tradicionale, kulturën dhe serenatat. Çdo vit mijëra vizitorë zgjedhin qytetin tonë jo vetëm për bukurinë e tij, por edhe për atmosferën që krijojnë restorantet, lokalet, muzika live dhe serenatat korçare, të cilat janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme të gjejmë ekuilibrin e duhur mes mbrojtjes së qetësisë publike dhe ruajtjes së këtij identiteti.

Ditët e fundit kam zhvilluar biseda me shumë biznese të qytetit, të cilat kanë ngritur shqetësime dhe kanë kërkuar më shumë informacion lidhur me ndryshimet e fundit të Udhëzimit nr. 2, datë 15.11.2023, ‘Për nivelin kufi të zhurmës për një mjedis të dhënë dhe për fushën e veprimtarive ekonomike-shoqërore’.

Një nga çështjet që është ngritur më shpesh lidhet me bazën teknike dhe shkencore mbi të cilën është përcaktuar niveli kufi prej 45 dB(A). Besoj se publikimi i studimeve, standardeve dhe metodologjisë që kanë shërbyer për hartimin e këtij udhëzimi do t’u shërbente institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve, duke krijuar më shumë qartësi dhe besim në zbatimin e tij.

Bizneset e Korçës kanë treguar ndër vite përgjegjësi në respektimin e rregullave (gjithmonë ka vend për përmirësime), por në përgjithësi, qyteti ka arritur të ruajë një ekuilibër të mirë mes aktivitetit ekonomik, jetës kulturore dhe qetësisë publike.

Jam i bindur se dialogu, transparenca dhe mbështetja në argumente të qarta janë mënyra më e mirë për të ndërtuar rregulla që mbrojnë qetësinë e qytetarëve, respektojnë ligjin dhe, njëkohësisht, mbështesin zhvillimin ekonomik e turistik të Korçës, duke ruajtur gjallërinë e qytetit dhe elementë të çmuar të identitetit tonë, si muzika live dhe serenatat korçare.

Kletjon Kita /Nënkryetar i Bashkisë Korçë

@NewsIn.Al

Exit mobile version