Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi vizita monitoruese në kuadër të kalendarit të mbikëqyrjes parlamentare
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, më 28 tetor 2026, zhvilloi vizita monitoruese në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nr. 313, Tiranë, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës.
Vizitat u zhvilluan në zbatim të kalendarit vjetor të mbikëqyrjes parlamentare për vitin 2026, në kuadër të komponentit I, për temën “Politika penale, masat e sigurisë, dënimet alternative. Mbipopullimi në burgje”, dhe të komponentit II, “Kalendari tematik i prioriteteve të kontrollit parlamentar mbi zbatimin e ligjeve nga institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive”. Ato kishin për qëllim njohjen nga afër me zbatimin e legjislacionit dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse, si dhe evidentimin e problematikave në ekzekutimin e vendimeve penale.
Gjatë takimeve, diskutimet u përqendruan në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe institucionale, zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe të Bashkimit Evropian, si dhe ecurinë e strategjive dhe planeve të veprimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua mbipopullimit në burgje e paraburgime, shpërndarjes së të paraburgosurve dhe të dënuarve sipas kapaciteteve të institucioneve dhe masave për përmirësimin e kushteve të trajtimit të tyre.
Në këtë kuadër, vizita në IEVP nr. 313 shërbeu për t’u njohur nga afër me kushtet e akomodimit dhe gjendjen e infrastrukturës, higjienën dhe shërbimet bazë, aksesin në kujdesin shëndetësor e ndihmën juridike dhe kontaktet me familjarët. Këto çështje u trajtuan në lidhje me nevojat për personel dhe investime, mundësitë për aktivitete arsimore e rehabilituese dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për shmangien e vonesave që ndikojnë në ekzekutimin e vendimeve dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në paraburgim.
Diskutimet mbi politikën penale dhe mbipopullimin u shtrinë edhe te zbatimi i dënimeve alternative dhe roli i Shërbimit të Provës në mbikëqyrjen dhe mbështetjen e personave në komunitet. Në fokus ishin pengesat në fillimin dhe ndjekjen e ekzekutimit të këtyre dënimeve, kapacitetet e personelit dhe ngarkesa e punës, si dhe bashkëpunimi me gjykatat, prokuroritë dhe institucionet që ofrojnë shërbime mbështetëse.
Vëmendje iu kushtua gjithashtu administrimit dhe digjitalizimit të të dhënave, mbikëqyrjes elektronike dhe vlerësimit të rezultateve të programeve të rehabilitimit e riintegrimit, me synim parandalimin e përsëritjes së veprave penale. Në tërësi, takimet u orientuan drejt evidentimit të nevojave për ndërhyrje dhe mbështetje institucionale, në funksion të zbatimit efektiv të ligjeve dhe garantimit të të drejtave të personave të privuar nga liria dhe atyre nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.
Informacioni i mbledhur gjatë vizitave do t’i shërbejë vijimit të procesit të mbikëqyrjes parlamentare, përgatitjes së raporteve përkatëse dhe përcaktimit të rekomandimeve për institucionet përgjegjëse.

@NewsIn.Al

