KU PO SHKOJMË?
Sa më shumë flasim për Europën, aq më shumë duhet të pyesim veten se sa “europianë” jemi…
Skandale politike, akuza për korrupsion, debate për fondet dhe pronat publike… Përgjime, denoncime, spiunime…dhe tani i vumë “kapak” me “çatin erotik” të “Kryeagjentes” dhe videot intime të artistëve që po pushtojnë rrjetet!
Një shoqëri që nga njëra anë kërkon drejtësi e standarde europiane, ndërsa nga ana tjetër ushqehet çdo ditë me skandalin, thashethemin dhe jetën private të tjetrit.
Nuk është më vetëm çështje politike.
Është çështje vlerash.
Kur skandali bëhet argëtim, kur privatësia shkelet dhe mijëra njerëz nxitojnë ta shpërndajnë, kur përgjegjësia humbet mes zhurmës së rrjeteve sociale, atëherë duhet të ndalemi një çast dhe të pyesim:
– Çfarë po ndërtojmë?
Europa nuk është vetëm anëtarësim, fonde dhe flamuj.
Europa është ligj, dinjitet, përgjegjësi, institucione dhe respekt për njeriun.
Ndërsa ne?
Bosh në shumë drejtime…
Plot zhurmë, por bosh në përgjegjësi!
Plot skandale, por pak reflektim!
Ndoshta pyetja më e rëndësishme sot nuk është:
“Kur do të hyjmë në Europë?”
Por:
“A po bëhemi ne një shoqëri europiane?”
Ilir Jamo
- @NewsIn.Al
