Tuesday, December 23, 2025
spot_img
HomeAktualitetiKur muzika nuk mbetet thjesht tingull, por kthehet në përjetim të thellë...

Kur muzika nuk mbetet thjesht tingull, por kthehet në përjetim të thellë njerëzor. “Simfonia e Jetës”, vepra që kam shkruar dhe…/ Diana Ziu

Dje mbrëma ishte një nga ato momente të rralla kur muzika nuk mbetet thjesht tingull, por kthehet në përjetim të thellë njerëzor.
“Simfonia e Jetës”, vepra që kam shkruar dhe që u interpretua për herë të parë, erdhi për mua si një udhëtim emocional. Çdo temë, çdo ngjyrim orkestral mbartte një fragment jete, një reflektim mbi rrugëtimin tonë njerëzor dhe mbi energjinë që na shtyn përpara.

Melosi shqiptar, me rrënjët dhe ngjyrat e tij identitare, u ndërthur natyrshëm me teknikat bashkëkohore të shkrimit muzikor, duke krijuar një gjuhë artistike që besoj se pasuron dhe afirmon muzikën tonë të kultivuar bashkëkohore.

Një vlerësim i veçantë dhe i thellë i shkon Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, e cila me një profesionalizëm të lartë, disiplinë shembullore dhe ndjeshmëri të rrallë artistike, arriti të depërtojë në thelbin e veprës. Çdo seksion i orkestrës, nga transparenca e harkorëve te forca dhe graviteti i frymorëve, nga pulsimi ritmik te balancat delikate dinamike, kontribuoi në ndërtimin e një interpretimi të qëndrueshëm, të menduar dhe thellësisht të ndjerë. OSFA dëshmoi edhe një herë aftësinë për të përballuar me siguri repertorin bashkëkohor, duke i dhënë formë dhe jetë një gjuhe muzikore kërkuese, pa humbur qartësinë, tensionin dramatik dhe frymën emocionale të veprës.

Mirënjohje gjithashtu për Ministrinë e Kulturës, për mbështetjen përmes Fondit të Krijimtarisë – KRIJIMTARIA KOMBËTARE, një mbështetje thelbësore që i jep zë dhe hapësirë krijimtarisë bashkëkohore shqiptare dhe nxit dialogun mes kompozitorit, interpretuesit dhe publikut.
Mbrëmja e djeshme ishte një dëshmi se muzika jonë e re jeton, frymëzon dhe ecën përpara.

Diana Ziu / Kompozitore

Screenshot
Screenshot

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments