Home Aktualiteti Kush është Dara, fituesja e Eurovizionit 2026?

Kush është Dara, fituesja e Eurovizionit 2026?

Kush është Dara, fituesja e Eurovizionit 2026?

Bullgaria u rikthye në Eurovizion pas një pauze trevjeçare dhe fitoi. Nderi për ta përfaqësuar këtë vend ballkanik i takoi këngëtares Dara.

Kush është përfaqësuesja bullgare Dara?

Darina Nikolaeva Yotova, e njohur profesionalisht si Dara, është një këngëtare 27-vjeçare e lindur në Varna, qyteti i tretë më i madh i Bullgarisë. Për publikun u bë e njohur në vitin 2015, kur arriti në finalen e versionit bullgar të spektaklit “The X Factor”.

Ajo njihet më së shumti për hitet “Thunder”, “Call Me” dhe “Mr Rover”, të cilat për javë të tëra kanë qenë në krye të top-listave muzikore. Krahas karrierës së suksesshme muzikore, Dara në vitet 2021 dhe 2022 ishte edhe mentore në spektaklin “The Voice of Bulgaria”. Albumin e saj të fundit e publikoi në vitin 2025, duke forcuar edhe më shumë praninë e saj në skenën muzikore botërore.

Dara: Dua që Bullgaria të shihet

Në një intervistë për “The Independent”, Dara tregoi se çfarë do të thotë për të ta përfaqësojë vendin e saj në Eurovizion.

“Eurovizioni në Bullgari nuk merret si diçka e vetëkuptueshme. Nuk kemi marrë pjesë në garë për tre vjet. Momenti ynë më i madh ishte vendi i jashtëzakonshëm i dytë i Kristian Kostovit në vitin 2017 – Kristianin e kam mik të dashur dhe ai rezultat kishte shumë rëndësi për vendin tonë”, tha ajo.

“Fitorja do të ishte diçka krejt tjetër. Por dua të jem e sinqertë me ju. Fitorja do të ishte e jashtëzakonshme dhe unë garoj absolutisht për të fituar. Megjithatë, po aq më motivon edhe ideja që Bullgaria të shihet. Të shihemi vërtet”, shtoi Dara.

“Ne jemi një vend i vogël me një shpirt të madh kulturor – të lashtë, të ndërlikuar dhe kokëfortë në kuptimin më të mirë të fjalës. Kemi një trashëgimi muzikore që bota mezi e ka prekur”, theksoi këngëtarja.

“Nëse ‘Bangaranga’ mund të jetë kënga që do ta bëjë dikë në Mançester, Edinburg apo Brighton ta marrë telefonin dhe të kërkojë për Bullgarinë – muzikën, bregdetin, letërsinë dhe njerëzit e saj – atëherë unë tashmë kam arritur diçka të vërtetë”, përfundoi Dara.

Kënga “Bangaranga”

Dara e përfaqësoi Bullgarinë me këngën “Bangaranga”, të cilën e përshkruan si “muzikë pop me rrënjë folklorike”. Ajo shpjegoi edhe kuptimin e vetë titullit.

“Vetë fjala vjen nga zhargoni xhamajkan dhe do të thotë ‘kryengritje’, ‘rrëmujë’, një lloj kaosi i bukur. Ka një forcë të papërpunuar fonetike që e anashkalon përkthimin – e ndien para se ta kuptosh”, tha ajo.

Bojkoti i disa vendeve dhe rikthimi i Bullgarisë

Bullgaria nuk mori pjesë në Eurovizion vitin e kaluar dhe kishte munguar nga gara që nga viti 2023. Herën e fundit performoi në vitin 2022, kur e përfundoi garën në vendin e 16-të në gjysmëfinalen e parë, pa arritur të kualifikohej në finale.

Konkursi i këtij viti u përball me kritika të konsiderueshme për shkak të vendimit që Izraelit t’i lejohej pjesëmarrja, pavarësisht luftës në Gaza, gjë që bëri që disa vende të vendosnin ta bojkotonin Eurovizionin.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në dhjetor 2025 u votua për rregulla të reja për parandalimin e ndikimit joproporcional të qeverive dhe palëve të treta në votim, por nuk pati votim për pjesëmarrjen e Izraelit.

“Shumica e madhe e anëtarëve u pajtuan se nuk kishte nevojë për votim të mëtejshëm për pjesëmarrjen dhe se Eurovizioni 2026 duhet të mbahej sipas planit, me masa shtesë mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e EBU-së.

Pas këtij vendimi, Irlanda, Spanja, Holanda, Sllovenia dhe Islanda konfirmuan se nuk do të merrnin pjesë.

Transmetuesi irlandez RTÉ deklaroi:

“RTÉ konsideron se pjesëmarrja e Irlandës mbetet e papërshtatshme, duke pasur parasysh humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare që vazhdon të kërcënojë jetën e kaq shumë civilëve.”

Nga ana tjetër, BBC, që transmeton konkursin në Mbretërinë e Bashkuar, e mbështeti vendimin e EBU-së.

“Këtu bëhet fjalë për zbatimin e rregullave të EBU-së dhe për gjithëpërfshirje”, thuhet në deklaratën e BBC-së.

@NewsIn.Al

Exit mobile version