KreuAktualitetiKush është “Princi i Naftës” Timur Kulibayev dhe Compartment Bernina…

Kush është “Princi i Naftës” Timur Kulibayev dhe Compartment Bernina…

Kush është “Princi i Naftës” Timur Kulibayev dhe Compartment Bernina që flitet se fshihen pas Pacollit në Aeroportin e Vlorës

Aeroporti i Vlorës nuk do të jetë kurrë pronë e Compartment Bernina dhe as Timur Kulibayev-it.

Kështu deklaroi sot ish-partneri në biznes i Behgjet Pacollit, Valon Ademi, në një deklaratë ku mohoi lajmet për pronësinë e Aeroportit të Vlorës, pas raportimeve për disa ndyshime në QKB.

“2 A Group” hodhi poshtë lajmet se QKB-ja kishte anuluar transferimin e kuotave, duke i kthyer Pacollit 98% të pronësisë, duke theksuar se ajo vazhdon të zotërojë 49% të kuotave të VIA-s në bazë të kontratës noteriale dhe në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

Por kush është Timur Kulibayev dhe Compartment Bernina që Ademi thotë se janë personat që fshihen pas Behgjet Pacollit në Aeroportin e Vlorës?

Timur Kulibayev lindi në një mjedis pushteti në vitin 1966, si djali i një funksionari të Partisë Komuniste në ish-Bashkimin Sovjetik. I rritur në një qytet naftënxjerrës në Kazakistanin perëndimor, ai studioi ekonomi në një nga universitetet më prestigjioze të Rusisë. Në Moskë, Kulibayev lëvizte në të njëjtat qarqe shoqërore me vajzën e dytë të presidentit të ardhshëm të Kazakistanit. Ajo më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij. Lidhjet e Kulibayevit me elitat kazake favorizuan ngjitjen e tij në një sërë kompanish të fuqishme shtetërore të energjisë dhe shoqatash tregtare, pikërisht në kohën kur ky vend i Azisë Qendrore po e hapte ekonominë e tij ndaj investimeve perëndimore.

Siç e përshkruan ICIJ, i njohur si “princ i naftës”, Kulibayev, së bashku me bashkëshorten e tij, Dinara Kulibayeva, hyri në listën e miliarderëve të revistës “Forbes” në vitin 2007, falë investimeve në industrinë e naftës dhe gazit, si dhe në sektorin bankar, atë të arit dhe të telekomunikacionit. Ndërsa pasuria e çiftit rritej me shpejtësi, po ashtu zgjerohej edhe portofoli i tyre i pronave në Evropë; ai përfshin një rezidencë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila dikur i përkiste një anëtari të familjes mbretërore britanike, kështjella në Gjermani e Zvicër, si dhe një pronë shumë të kërkuar në Spanjë, me pamje nga Deti Mesdhe.

Sipas denoncimeve të mëparshme të Ademit por edhe raportimeve në media, Pacolli ka bërë marrëveshje me Compartment Bernina. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 26 mars 2025, mes Pacollit, në emër të kompanisë së tij “MABCO Construction S.A.”, dhe Bart Turtelboom, përfaqësues i kompanisë “Delphos Securities SARL”, që është menaxhere e financimeve ruse, pjesë e grupit të kompanive “Compartment Bernina”. Compartment Bernina (zyrtarisht Delphos Securities SARL – Compartment Bernina MTN) është një nënfond titullizimi me seli në Luksemburg. Sipas A 2, ajo është një strukturë përmes së cilës projekti koncesionar dhe shoqëria VIA duhet të vendoseshin nën kontrollin ekonomik dhe financiar të një strukture të tretë offshore.(Shekulli)

 

@NewsIn.Al

 

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Lini një koment

Shkruani komentin tuaj!
Shkruani emrin tuaj këtu

Më të lexuarat

Komente të fundit