Home Aktualiteti Lakmia e kaosit apo e boshit mendor të shoqërisë/ Aleksandër Çipa

Lakmia e kaosit apo e boshit mendor të shoqërisë/ Aleksandër Çipa

Lakmia e kaosit apo e boshit mendor të shoqërisë

Demokriti kishte për pasuri të madhe njohjen e botës. Udhëtimet e tij prekën vise të Indisë, Persisë, Egjiptit, ndërkohë që në epilog të jetës, sikundër elefanti që zgjedh kthimin në vendin ku lind, ai u kthye në vendlindje. Jetoi një shekull të plotë.
Demokriti konsiderohet filozof fatlum i lashtësisë. Ka zënë vend të patundshëm në kanunin e filozofisë perëndimore. Udhëtimet e tij të shumta i konsoliduan aftësinë për të shquar tiparin e përbashkët të lakmisë njerëzore. Ndër të cilat, pra lakmitë, ai stigmatizoi lakminë që e quajti: “lakmia për të folur gjithçka dhe për të mos dëgjuar asgjë.”
Prej kohës së frymtë të Demokritit e gjer më sot, kjo lloj lakmie ka marrë përmasa të një diktature apo regjimi imponues. Lakmia e shtimit të gjendjes ku mbizotëron budallallëku dhe nënmediokriteti është fatkeqësia ndaj së cilës shoqëria e sotme njerëzore ka humbur aftësinë për ta refuzuar dhe për t’i treguar vendin.
Demokriti zgjodhi ironinë dhe qeshjen kundër kësaj lakmie. Shoqëria e sotme po e humbet dramatikisht aftësinë demokritiane të qeshjes…
Por zymtësinë, përballë kësaj epidemie, na i shton edhe më tepër mungesa e traditës platonike për edukimin racional. Sistemi aq i pasistemuar i edukimit tonë është iracional. Kjo është një arsye madhore që budallallëku ynë njerëzor të shtohet dhe po shumohet, si “shumicë” e frikshme ndër ne.
Lakmia për të thënë gjithçka dhe për të mos dëgjuar asgjë është motori punëzi i kaosit dhe ecjes sonë retrograde…
Platonizmit që po bëhet gati plotësisht i munguar, po i shuhet edhe ironia edhe qeshja e fundme me ndikim publik.
Kjo kohë e pa emër, nuk e dimë se si do ia mbërrijë, fundit apo mbarimit të vetvetes…..

P.S: I bashkangjita tekstit tim, një poster të komediografëve më të shquar të dy shekujve të fundit, të qytetit emërnjohur: Parodistëve të Vlorës. Ata janë hise e përhershme estetike e qeshjes demokritiane, në ndërgjegjen time përballë shoqërisë në të cilën gjendemi…

Aleksandër Çipa

@NewsIn.Al

Exit mobile version