Thursday, May 21, 2026
spot_img
HomeAktualitetiLiria si Betejë: Kujtesa e humbur e 8 Dhjetorit…

Liria si Betejë: Kujtesa e humbur e 8 Dhjetorit…

Liria si Betejë: Kujtesa e humbur e 8 Dhjetorit

Data 8 Dhjetor 1990 shënon një moment themelor në historinë moderne të Shqipërisë, kur pluralizmi politik mori legjitimitetin e tij dhe liria, e shtypur për dekada, u artikulua si një e drejtë kolektive. Ishte çasti kur shoqëria shqiptare provoi se ndryshimi ishte i mundur dhe hodhi themelin e një epoke të re. Megjithatë, kjo datë nuk nderohet dhe nuk festohet në mënyrë të plotë, as në institucionet shtetërore, as në ndërgjegjen e shoqërisë.
Arsyet e kësaj zbehjeje janë të shumta. Së pari, tranzicioni politik shqiptar nuk prodhoi një narrativë të qëndrueshme mbi fillimet e pluralizmit. Debatet u dominuan nga përplasje partiake dhe garat për pushtet, duke e zhvendosur vëmendjen nga vlerat themelore të lirisë drejt interesave të ngushta politike. Kjo ka bërë që 8 Dhjetori të perceptohet më shumë si simbol politik sesa historik, duke humbur nderimin që meriton nga të gjithë.
Së dyti, mungesa e institucioneve të kujtesës — muzeume, programe edukimi, arkiva të aksesueshme — ka penguar brezat e rinj të kuptojnë peshën reale të kësaj date. Shpesh, 8 Dhjetori reduktohet në një ngjarje studentore, pa thellësinë e dimensionit që lidhet me çlirimin e shoqërisë nga frika dhe kontrolli totalitar.
Së treti, tranzicioni i gjatë dhe sfidat e shoqërisë shqiptare kanë krijuar një lloj “lodhjeje historike”. Krizat ekonomike, zhgënjimet nga elitat drejtuese dhe vështirësitë e përditshme kanë zbehur vlerat e kësaj date.
Një tjetër arsye është politizimi i ngjarjes. 8 Dhjetori lidhet ngushtë me themelimin e Partisë Demokratike dhe protagonizmin e lidershipit të saj. Secila palë nderon ngjarjet që i shërbejnë narrativës së vet, duke penguar ndërtimin e një historie të përbashkët. Në këtë mënyrë, një festë që dikur simbolizonte lirinë kolektive është shndërruar në një datë të paqëndrueshme në kujtesën kolektive.
Ky realitet shqetëson thellë. Rivlerësimi i 8 Dhjetorit nuk është thjesht një sentiment apo akt ceremonial; është një domosdoshmëri kulturore. Ai na rikthen te momenti kur shoqëria shqiptare provoi për herë të parë se liria mund të fitonte fuqinë e saj vetëm përmes përpjekjes kolektive. Problemi nuk është vetëm zhdukja e datës nga kalendari i festave, por mungesa e angazhimit për të ruajtur vlerën më themelore të shoqërisë: lirinë.
Kur Dita e Lirisë shfaqet thjesht si një përkujtim formal, kauza e saj humbet fuqinë transformuese. E gjithë ajo liri e fituar me guxim ngjan një rrënojë e bukur, por e heshtur. Liria nuk është një “ballkon” nga i cili mund të soditet njëherë e të qetësohesh; ajo është një terren lufte — betejë e vazhdueshme — që kërkon vigjilencë, angazhim aktiv dhe përgjegjësi nga shoqëria, qytetarët dhe rinia. Vetëm kështu mund të ruajmë dhe të përçojmë trashëgiminë e vlerave të fituara atë Dhjetor të shënuar
Hazbi Lika

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments