Pak kohë më parë, një lajm i dhimbshëm preku ndjeshmërinë e shumë dashamirësve të kulturës shqiptare: shtatoret e dy prej figurave më të ndritura të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, në qytetin e Pogradecit, kishin pësuar dëmtime serioze. Shirat acid dhe mungesa e mirëmbajtjes kishin lënë shenja të rënda mbi këto monumente që ruajnë kujtesën e brezave.
Kjo gjendje alarmante preku zemrat e atyre që besojnë se kujtesa nuk mund të lihet në mëshirë të kohës. Ndër të parët që reaguan ishte Piro Dode, ish Mjeshtër i Madh i Lozhës së Madhe të Shqipërisë. Duke qenë i lidhur ngushtë me vlerat historike dhe kulturore, ai mori menjëherë nismën. Në këtë përpjekje ai ftoi edhe dy figura të tjera me kontribute të njohura në fushën e artit dhe trashëgimisë: profesor Vladimir Llakaj, një prej emrave më të spikatur të skulpturës shqiptare dhe Alban Kardashi, i njohur për përkushtimin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare. Ata kishin realizuar më parë edhe vendosjen e bustit të Skënderbeut në Itali.
Në këtë mision të veçantë, iu bashkua edhe sociologu i mirënjohur Zyhdi Dervishi, një mik i vjetër i qytetit dhe një zë i dashur i reflektimit qytetar.
Pas inspektimit të gjendjes në terren, prof. Vladimir Llakaj konfirmoi atë që dyshohej: “Pluhuri i bashkuar me lagështirën dhe shirat acidik kishin ngurtësuar sipërfaqen e bronzit, duke bllokuar patinën natyrale dhe duke sjellë një pamje të rënduar.” Ai shpjegoi se ndërhyrja do të ishte delikate, për të pastruar dhe për të mbrojtur pa cënuar autenticitetin e veprave.
Pastrimi u realizua me përkushtim përmes përdorimit të kimikateve të specializuara dhe trajtimit mbrojtës me dyll, një proces që garanton që këto monumente të mbeten të sigurta për vite me radhë. “Monumentet e hapësirave publike kanë nevojë për ndërhyrje ciklike, çdo 2-3 vjet”, theksoi më tej profesor Llakaj.
Në këtë rrugëtim, ndihma e Bashkisë së Pogradecit rezultoi thelbësore. Z. Ledjan Zeqollari, përfaqësues i saj, tregoi se ndërhyrja ishte kërkuar prej kohësh, por kishte ngecur mes proceseve burokratike. Falë bashkëpunimit dhe sensibilizimit të përbashkët, çështja mori rrugën drejt zgjidhjes.
Një hap kyç ishte edhe dakordësia e skulptorit të shquar Mumtaz Dhrami, autori i shtatoreve, i cili dha miratimin e tij për restaurimin.
Me organizimin e Piro Dodes dhe mbështetjen e të gjithë aktorëve të përfshirë, procesi u përmbyll me sukses pak para nisjes së sezonit turistik. Tashmë, vizitorët e Pogradecit, por edhe dashamirësit e kulturës, do të mund të admirojnë sërish në nderim të plotë figurat e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, dy poetët që i dhanë shpirt liqenit dhe fjalës shqipe.
Një shembull i bukur se si ndërgjegjësimi, dashuria për kulturën dhe bashkëpunimi mund të ruajnë jo vetëm bronzin e ftohtë, por edhe kujtimin e ngrohtë që monumentet mbartin në heshtje.