Nderim figurës së mësuesve tanë.
Një jetë siç ia vlen…
Sot, plot 65 rrotullime rreth diellit.
Mbase tani shkallët i ngjit me vështirësi sepse dhimbja e nervit që shoqëron mungesën e lëngjeve në gjunj është edhe më e fuqishme. Ndoshta edhe sytë kanë filluar të ngatërrojnë numrat me shkronjat apo të bëjnë lojëra me objektet larg dhe afër. Krahët, sipas mjekut, nuk janë më të zotë të mbajnë gjëra të rënda e mos flasim pastaj për çanta shpine. Thonë se njerëzit në këtë moshë fillojnë e grinden njësoj si fëmijët.
E mes gjithë këtyre “risive” që sjellin me vete ato 65 vite, ka diçka që nuk ndryshon… shpirti!
Është i njëjti që ka përjetuar emocione të forta kur dëgjoi t’i drejtoheshin me emrin “mësues” për të parën herë. Është po i njëjti shpirt që u duk se u thye nga një padrejtësi apo ironi e fatit. Me të njëjtin shpirt, sot plot, feston bashkë me ne largimin me kokën lart për të gjitha sfidat e përballuara me sukses.
Quhet histori suksesi një histori e nisur në zona të largëta ku fjala “mësues” simbolizonte lidhjen me dritën dhe qytetërimin. Sukses quhet edhe përshtatja në pozicione të ndryshme pune, apo ngritja e mëkëmbja e një institucioni të djegur. Quhet arritje dhe mision i përmbushur të kesh sot breza nxënësish, drejtuesish, kolegësh që ju duan dhe respektojnë.
Janë vite që nëse do ju jepej mundësia, nuk do ndryshonit asgjë përveç atyre që do dëshironit t’i bëni edhe më mirë seç i keni bërë. Dhe këtë e bën vetëm një shpirt i madh si i juaji drejtor Coli.
Faleminderit që me gjithë dallgët që ju sillnin vitet mbi supe, nuk e dëgjuat mjekun kohë që lëshonte receta qetësie por rezistuat ne profesion duke treguar shëndet të plotë profesional. Pavarësisht gjymtyrëve që mund të dhembin apo syve që duan ndihmën e xhamave optikë, jeta e një mësuesi si ju është gjithmonë një jetë që ia vlen.
Faleminderit drejtor Coli!
P.s:. Thuaji “ Mirupafshim” tensionit dhe “ Mirë se vjen” pensionit.
Je gjithmonë në zemrat dhe mirënjohjet tona.
Kolektivi Sheqeras.

Eriona Pambuku
@newsIn.Al

