Home Kulture / Art “Nga humbja e njerzillëkut, askush nuk del i fituar në fund”/ Rrëfenjë.

“Nga humbja e njerzillëkut, askush nuk del i fituar në fund”/ Rrëfenjë.

Nga humbja e njerzillëkut, askush nuk del i fituar në fund.

Sot shkova te shtëpia e babait dhe ai më tregoi të gjithë mjaltin që kishte marrë nga kosheret, meqenese ai ka blete.

Pasi hapi kapakun e një kove të madhe, pamë se mbi mjaltë kishin ngecur 3 bletë, që ishin në përçapje e sipër për të shpëtuar nga mbytja. U ishte ngjitur mjalti kudo në trup dhe po të vazhdonin ashtu, do të ngordhnin shpejt.

I kërkova tim eti që t’i ndihmonim, por ai më tha se ishte i bindur që nuk do të mbijetonin dot.

I kërkova sërish nëse mund t’i nxirrnim prej aty dhe t’i vrisnim shpejt, sepse ai vetë më kishte mësuar se nuk duhej lënë asnjë kafshë apo insekt në vuajtje.

Në fund, ai pranoi dhe i nxorri bletët nga kova. Më pas i vendosi brenda një ene plastike bosh dhe e nxorri atë përjashta.

Për shkak se e kishte prishur kosheren kur po mblidhte mjaltin, rreth saj po fluturonin një mori bletësh.

Enën ku kishim futur tri bletët e vogla e vendosëm mbi një stol dhe i lamë ato në fatin e tyre.

Pak çaste më vonë, babai më thirri për të më treguar se çfarë po ndodhte.
Tri bletët e vogla ishin rrethuar nga të gjitha bletët e tjera dhe ato po i pastronin dhe po ua hiqnin mjaltin nga trupi.

Më vonë shkuam prapë për t’i parë dhe në enë kishte mbetur vetëm një bletë nga ato të trija, e cila po ndihmohej ende nga bletët e tjera.

Kur më erdhi koha të largohesha nga shtëpia e babait, shkuam për t’i kontrolluar prapë dhe pamë se të trija bletët ishin pastruar dhe kishin fluturuar. Ena ishte bosh.”

Ato tri bletë të vogla mbijetuan sepse u rrethuan dhe u ndihmuan nga bletët e tjera, të cilat nuk hoqën dorë nga simotrat e tyre dhe nuk i lanë të mbyteshin e të jepnin shpirt ashtu, të ngjitura në mjaltë.

Historia është vetëm një ilustrim. Një ilustrim që dëshmon se bota e kafshëve s’është aq “e ulët” në vetëdije sa ç’jemi mësuar ta konsiderojmë, dhe se bota e njerëzve s’është aq e lartë, sa ç’jemi mësuar ta mbajmë me të madhe.

Teksa sheh skena të tilla, njeriu e bën vetvetiu krahasimin me botën të cilës i përket. Atë të njerëzve. Kjo e fundit lë aq shumë për të dëshiruar! Është një botë që braktis, që lë në baltë, që injoron, që përçmon, që shtyp, që abuzon, që linçon… është një botë të cilës i mungon thellësisht empatia dhe dashuria.
Një botë njerëzore pa njerzillëk.

Kur e humbasim njerzillëkun, kemi humbur edhe atë fijen që na lidh me shpirtin tonë, me veten, me Zotin. Kemi humbur njëri-tjetrin.

Nga humbja e njerzillëkut, askush nuk del i fituar në fund.

@NewsIn.Al

Exit mobile version