Thursday, October 9, 2025
spot_img
HomeAktualitetiNga Qyteti Studenti në sallën e gjyqit, atentatet që “gjunjëzuan” drejtësinë në...

Nga Qyteti Studenti në sallën e gjyqit, atentatet që “gjunjëzuan” drejtësinë në 26 vitet e fundit

Nga Qyteti Studenti në sallën e gjyqit, atentatet që “gjunjëzuan” drejtësinë në 26 vitet e fundit

Seria e atentateve që prej vitit 1999 e deri më sot, tregon një realitet të hidhur, as figurat e drejtësisë në Shqipëri, nuk kanë qenë të mbrojtura përballë krimit!

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, që tronditi opinionin publik, është një dëshmi e dhimbshme e kësaj situate alarmante.

Me një hulumtim të thjeshtë të 26 viteve të fundit, kupton se shumë nga këto krime ende nuk janë zbardhur…

Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi në Qytetin Studenti, ku u gjet e masakruar 21-vjeçarja Kozeta Hyseni, vajza e prokurorit të Vlorës, Luftar Hyseni. Një mbrëmje më parë, një vajzë e kishte njoftuar se dikush e kërkonte poshtë godinës ku banonte. Pas daljes nga dhoma, Kozeta nuk u kthye më.

Trupi i saj u gjet të nesërmen në mëngjes, i goditur barbarisht me gurë në kokë. Ngjarja nuk u zbardh kurrë dhe ende nuk dihet nëse ka lidhje me detyrën e babait të saj.

21 shkurt 1999 – Ekzekutohet Kleanthi Koçi

Vetëm dy ditë pas vrasjes së Kozetës, atentati i radhës goditi “zemrën” e drejtësisë. Kleanthi Koçi, një figurë me autoritet në jurisprudencën shqiptare, u vra me tre plumba në qendër të Tiranës, pranë 15-katëshit. Një person iu afrua, i tha diçka dhe e qëlloi për vdekje. As ky krim nuk u zbardh kurrë.

30 shtator 2003 – Ekzekutohet shoferi i kryeprokurorit

Mbrëmjen e 30 shtatorit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u ekzekutua oficeri i Gardës Genci Sina, i cili shoqëronte familjen e Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku. Një taksi iu afrua makinës që drejtonte Sina dhe një atentator qëlloi disa herë me pistoletë me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht, bashkëshortja dhe vajza e prokurorit, që ndodheshin në makinë, shpëtuan pa lëndime.

9 shtator 2011 – Vritet gjyqtari Skerdilajd Konomi

Pas gati një dekade, krimi mafioz goditi sërish. Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Vlorë, humbi jetën nga një atentat me tritol të vendosur në makinën e tij. Serial-killeri me pagesë, Julian Sinanaj, dëshmoi se porosia kishte ardhur nga Durrësi dhe lidhej me konfliktet e pronësisë në zona bregdetare. Pavarësisht të dhënave të forta, dosja e vrasjes mbeti pa përfundim.

22 mars 2019 – Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra

Në qendër të Elbasanit, ndërsa po pinte kafe në një lokal, avokati Ravik Gurra, i njohur si përfaqësues ligjor i fisit Çapja, u qëllua me silenciator në kokë. Atentatori u largua me shpejtësi me ndihmën e një bashkëpunëtori. Edhe ky krim vazhdon të mbetet i pazbardhur.

1 nëntor 2019 – Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja

Një breshëri automatiku u shkreh ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja pranë mbikalimit të Shkozetit. Ai udhëtonte me dy persona, Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe shoferin e tij Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vrarë, ndërsa Ndoja u plagos. Ngjarja ngriti shumë pikëpyetje mbi lidhjet e errëta mes krimit dhe politikës, por ende nuk është dhënë një verdikt final.

6 tetor 2025 – Vritet në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja

Ngjarja më e fundit ka përmasa akoma më të rënda, plumbat u lëshuan brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë. Gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri pasi dha një vendim, pa e ditur se ky i fundit do t’i kushtonte jetën.(Albeu)

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments