Home Aktualiteti “NGJITJA E KRISHTIT SI MISTER DHE JO SI SPEKTAKËL”

“NGJITJA E KRISHTIT SI MISTER DHE JO SI SPEKTAKËL”

“NGJITJA E KRISHTIT SI MISTER DHE JO SI SPEKTAKËL”

Festa e Ngjitjes së Krishtit në Qiell, na vendos përpara njërit prej ngjarjeve më të mëdha të ekonomisë hyjnore : Krishti, Zoti i mishëruar, i kryqëzuar dhe i Ngjallur, e ngre natyrën njerëzore që mori mbi Vete në lavdinë e Atit. E megjithatë, kjo ngjarje nuk paraqitet si spektakël. Nuk ka tiparet e një shfaqjeje madhështore që shkatërron çdo dyshim me forcën e pamjes së saj. Nxënësit e shohin Zotin duke u ngjitur, por ajo që u jepet nuk është kuptimi i plotë i ngjarjes, por pjesëmarrja në Mister. Krishti fshihet brenda resë, dhe kështu Ngjitja zbulohet si Mister : si një ngjarje e vërtetë, por një ngjarje që nuk mund të shpjegohet plotësisht nga përvoja shqisore.

Kjo, megjithatë, nuk lidhet vetëm me Ngjitjen. Të njëjtin fenomen shpirtëror e gjejmë edhe në Lindjen dhe Ngjalljen e Krishtit. Në Lindje ka persona që lidhen me ngjarjen : Hyjlindësja, Josifi, barinjtë dhe më vonë magët. Ka dëshmi, ka adhurim, ka lavdërim. Por çasti i saktë i Lindjes nuk ofrohet si spektakël para syve të njerëzve ; sipas traditës, as vetë Josifi nuk ishte i pranishëm. Në Ngjallje janë ushtarët, Mirombajtëset e Mirrës dhe nxënësit që do të takojnë të Ngjallurin; por edhe këtu askush nuk paraqitet si dëshmitar i çastit të saktë kur Krishti del nga varri. Edhe në Ngjitje, nxënësit janë të pranishëm në fillimin e ngritjes, por përfundimi i saj humbet brenda resë së ndritshme të lavdisë hyjnore. Mungesa e dëshmitarëve në çastin e saktë të Lindjes, Ngjalljes dhe përmbushjes së Ngjitjes nuk është boshllëk në rrëfim dhe as mungesë prove. Është vetë dëshmia e natyrës së Misterit.

Në përvojën e Kishës, Misteri nuk është thjesht diçka e fshehtë apo e mbuluar nga shumë njerëz. Ai është mënyra me të cilën Perëndia zbulohet pa e shkatërruar lirinë e njeriut. Është prania e dashurisë hyjnore, e cila nuk imponohet, nuk bën zhurmë dhe nuk detyron. Perëndia nuk kërkon ta bindë njeriun me prova të pakundërshtueshme; Ai dëshiron ta thërrasë në marrëdhënie dhe bashkim me Të. Misteri është mënyra e përulësisë hyjnore. Perëndia është vërtetë i pranishëm, por veprimi i Tij nuk bëhet objekt kontrolli apo analize të plotë nga njeriu.

Këtu mund të kujtojmë edhe përvojën e nxënësve në malin e Shpërfytyrimit. Nxënësit marrin pjesë në një zbulesë të vërtetë të lavdisë së Krishtit; ata shohin “aq sa mundnin”, domethënë sipas masës që mund të pranonin. Nuk hyjnë në thellësinë e mënyrës se si vepron lavdia hyjnore; marrin pjesë në të sipas masës që u jepet. Diçka e ngjashme ndodh edhe këtu. Njeriu, me ndihmën e hirit hyjnor, mund të marrë pjesë në Mister, ta shijojë dhe të ndriçohet prej tij, por nuk mund të hyjë analitikisht në “si”-në e veprimit hyjnor. Misteri nuk e shkatërron dijen, por e çon atë në përulësi. Na zbulon se e vërteta e Perëndisë nuk është objekt interpretimi analitik, por ngjarje bashkimi dhe jete.

Prandaj besimi në Krishtin nuk është thjesht pranimi teorik i disa të vërtetave, as një fakt i jashtëm “fetar”. Nuk është pajtim ideologjik dhe as vetëm përputhje morale. Besimi është përvojë jete, përvojë marrëdhënieje, përvojë shpërfytyrimi. Është hyrja e njeriut në një realitet të ri ekzistence, që fillon me Mishërimin, vuloset me Kryqin dhe Ringjalljen dhe hapet drejt plotësisë së tij me Ngjitjen dhe Pentikostinë.

Në këtë dritë kuptohet drejt edhe adhurimi i Kishës. Shërbesat, mbledhjet e shenjta dhe ritet e saj nuk janë shfaqje teatrale që synojnë emocionin apo përshtypjen. Kisha nuk organizon spektakle fetare. Adhurimi është pjesëmarrje në ngjarjen e shpëtimit. Është hyrje në Misterin e Mishërimit dhe të gjithë ekonomisë hyjnore. Është kujtesë që bëhet prani, dhe prani që e thërret njeriun në shpërfytyrim. Ne nuk vëzhgojmë thjesht diçka që ndodhi dikur ; me anë të hirit hyjmë në atë që Perëndia vepron për jetën e botës.
Rëndësi të veçantë ka këtu edhe reja e Ngjitjes. Në traditën biblike, reja nuk tregon mungesë, por prani. Është shenjë e lavdisë hyjnore, e pranisë së Perëndisë që zbulohet dhe njëkohësisht mbulohet, që njeriu të mos mendojë se mund ta përfshijë plotësisht me syrin apo mendjen e tij. Reja shoqëron Thefanitë e mëdha të historisë së shpëtimit ; nuk e fsheh Perëndinë dhe as nuk nënkupton mungesën e Tij, por e zbulon Atë si Atë që është gjithmonë i pranishëm dhe njëkohësisht tejkalon çdo konceptim dhe përshkrim njerëzor. Kështu edhe në Ngjitje, reja tregon se Krishti nuk largohet thjesht nga bota, por hyn në lavdinë që nuk pushon kurrë së përqafuari krijimin dhe së vepruari brenda Kishës.

Ngjitja e Krishtit si Mister dhe jo si spektakël, zbulon më në fund jo vetëm se kush është Perëndia, por edhe cili duhet të jetë etosi i Kishës dhe i të krishterit. I krishteri nuk thirret të japë dëshmi për Krishtin me zhurmë, me shfaqje të jashtme apo me sensacionalizëm shpirtëror. Thirret të dëshmojë jetën kishtare me paqe, me përulësi, me qëndrueshmëri zemre dhe me aromën e hirit të Shpirtit të Shenjtë, pa mënyra tregtari apo reklamuesi. Ashtu si Perëndia vepron në heshtje dhe shpëtim, kështu edhe njeriu i Perëndisë thirret të bëhet bartës i kësaj paqeje : një ekzistencë që freskohet dhe freskon me flladin e hollë të hirit të Perëndisë ; një prani që nuk imponohet, por preh ; që nuk bërtet, por dëshmon ; që nuk e teatralizon Misterin, por e jeton atë përjetësisht si mënyrë jete. AMIN.

At Spiro Katundi

@NewsIn.Al

Exit mobile version