Një gangster shqiptar, dhe e dashura e tij britanike, e përshkruanin veten si “Bonnie dhe Clyde” në letra dashurie ku flisnin për krimet e tyre.
Grupi prej pesë burrash shqiptarë dhe një gruaje britanike qëndronte pas vjedhjes së bizhuterive, çantave luksoze, orëve dhe parave në vlerë rreth 1 milion sterlina, nga viktima të pasura, përmes të paktën 44 vjedhjeve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Policia tha se grupi vendoste “objektiva javore” për sasinë e arit që donin të vidhnin gjatë grabitjeve, dhe se i ekspozonin plaçkat e vjedhura në fotografi.
Endrit Nikolli, 27 vjeç; Kristian Gropcaj, 30 vjeç; George Lleshaj, 31 vjeç; Krisjian Dedndreaj, 28 vjeç dhe Sidorjan Lleshi, 26 vjeç, u deklaruan fajtorë në Gjykatën Mbretërore të Chester-it për komplot për kryerjen e vjedhjes dhe komplot për posedim të pasurisë së përfituar nga krimi.
Nikolli ishte në një lidhje me Jade Tubb, 33 vjeçe, shtetase britanike, e cila rezervoi makinën me qira që grupi përdorte për vjedhje dhe më pas shpenzonte të ardhurat e përfituara nga krimet.
Hetuesit sekuestruan letra të shkëmbyera mes Nikollit dhe Tubb, ku ata e quanin veten Bonnie dhe Clyde – banditët amerikanë që u zunë në pritë dhe u vranë nga policia në Luiziana në vitin 1934, pas një vale krimesh që zgjati dy vjet.
Të mërkurën, Tubb u deklarua fajtore për komplot për posedim të pasurisë kriminale.
Grupi përdorte shkallë për të hyrë nga dritaret dhe ballkonet e katit të parë të banesave dhe, pasi hynin brenda, i shkatërronin plotësisht për të gjetur sende me vlerë.
Policia arriti të rikuperojë vetëm 13 çanta dizajnerësh dhe 14 ora gjatë bastisjeve në strehët e grupit dhe tha se “pjesa dërrmuese” e sendeve të vjedhura ishte shitur.
Hetimet nisën në tetor 2024, pasi policia u informua për një seri vjedhjesh në Macclesfield, Prestbury, Weston dhe Willaston.
@NewsIn.Al
