PAZARI MË I SHËMTUAR DIKUR,
SHTRUAR RRUGËVE TË PAZARIT TË MADH TË KORÇËS
Ilia.V. Ballauri
Nxjerrë nga materiali në punë e sipër:
“Korça ashtu si e jetova unë”,
(Kujtime, ngjarje, përshtypje, mbresa, mendime, skica, etj)
Ka qënë dikur, pas vitit ’945 dhe deri aty nga fundi i viteve ‘50, një pazar tepër i veçantë në Korçë (që ndofta mund të ketë qënë edhe gjetkë) që thirrej a quhej, prej popullit ashtu thjesht, “Pazari i shitjes së plaçkave dhe orendive të shtëpisë” dhe që zhvillohej ditën e shtunë.
Ky pazar që shtrohej në një pjesë të rrugicave të pazarit të vjetër të madh të Korçës, rrugica këto që një pjesë e mirë e tyre, ekzistojnë akoma dhe janë dëshmitare, ishte një pazar i mallkuar, që më vjen prej zemre të them që, mos qoftë kurrë dhe mos e sjelltë rrota e historisë, që të përsëritet për këdo dhe kudo, as edhe për hasmin.
Pazari në fjalë ishte një lloj nxjerrje publike e një pjese të popullit të Korçës, për poshtërim përpara gjithë gjindjes, njësoj si bëhej dikur, në kohën e feudalizmit, kur për poshtërim, njerëzit të hipur në një tribunë dërrase, në qëndër të qytetit, aty në shesh, nxirreshin përpara gjindjes për tu poshtëruar, duke u rrahur aty me kamxhikë dhe për tu pështyrë pastaj prej masës tjetër të popullit. Pazari ynë pra, ishte një lloj salle inkuizicioni, një lloj hipjeje në stivën e druve për poshtërim, por pa ju vënë flaka, një lloj nxjerrjeje përpara litarit për poshtërim, por pa u varur në litar, apo përpara gijotinës por, pa tu prerë koka, e pra ishte një vajtje deri në buzë të greminës dhe një kthim prapa, një qëndrim i tmerrshëm aty buzë varrit të hapur, për të lënguar e lënguar dhe këto të gjitha, për një copë bukë.
Ishte pra pazari i dikurshëm në Korçë, i shitjes së plaçkave, orendive dhe sendeve të shtëpisë, një lloj dënimi publik, njësoj si lithovolisja, pra dënimi i gjuajtjes me gurë që ishte aq i zakonshëm në kohët romake dhe kjo, durohej vetëm për një fetë bukë.
Pazari në fjalë, ishte pazari ku poshtërohej vlera e njeriut, dinjiteti i tij, personaliteti, respekti, karakteri i tij dhe pastaj aty blihej, vetëm një copë bukë.
Aty shitej, mundi i jetës, djersa e viteve, ekonomia e familjes dhe blihej shbërja, denigrimi, mbetja në dërrasë dhe këto për një copë bukë.
Aty përbuzej, ngritja, niveli, kultura, edukata, arsimimi, formimi, sjellja, finesa, qytetërimi, historia, ëndrrat, dëshirat, familja, fisi e soji dhe po aty bëhej durim e forcë, në heshtje, buzëkafshuar dhe në ballafaqim, me ashpërsinë e injorancës të ngritur në piedestal, me hijen djallzore të përndjekjes, me brutalitetin e pamëshirshëm të çizmes me thumba, me tmerrin e kërcënimit me burgje dhe këneta, me zhdukje një herë e përgjithmonë, etj. Të mjerët njerëz, ktheheshin në mbrëmje pastaj, në gjirin e familjes së tyre të persekutuar, të dërmuar, vetëm me një copë bukë, për të mbijetuar.
Pazari në fjalë, u krijua prej masës së popullit që më parë jetonte relativisht mirë, masë kjo e cila me hyrjen e diktaturës së kuqe në gjithë qelizat e jetës së përditëshme, duke mbetur pa bukë, u detytrua që të mbijetonte dhe të shiste aty, gjithë ç’kishin në shtëpi, për një copë bukë. Mallarat që do të lexoni më poshtë, u blenë në atë kohë kryesisht, nga zyrtarët me çizme të diktaturës të sapo vendosur si dhe prej ndonjë specialist rus e sidomos vitet e para prej oficerëve jugosllavë që filluan të shëtisin rrugëve të Korçës, me gravata e kostume të qepura prej copave të shtrenjta të sekuestruara tek tregëtarët korçarë.
Këta “luftëtarë, shpëtimtarë të popullit”, i blenë pra në këmbim të një cope bukë,.
Në atë pazar përbuzës shiteshin: copa kostumi sjellë nga Milano, belluze prej Austrie, tapita prej Sirie, sixhade prej Misiri, qilima persianë, serviçio italiane, pallto engleze, shallë Kardiff, llampadarë, enë të kristalta, çanta mjeku prej lëkure, radio, gramafonë dhe pllaka gramafoni, pjano, vjoli, libra, fjalorë, vegla roje të lyera me ar, pasqyra prej kristali, doreza leshi svicerane, pallto të trasha të sjella prej Parisi, fustane, tajere, kostume, gravata, papjone, sharpa, shalle, tyle, etj, etj, etj, gjithçka pra që ka të bëjë me një jetë që sot lakmohet, që hiçët e sotëm krenohen, mburren, lapardhosen dhe të gjitha këto, shiteshin për një copë bukë.
Aty pra dilte shpirti, zvjordhej xhani, thërmohej bota e njeriut, e imja, e jotja, e jona dhe këto të gjitha, për një copë bukë.
Aty në atë pazar të mallkuar shisnin plaçkat e orenditë e shtëpisë edhe gra, nëna të ndershme, të bukura, të pastra në shpirt, të pastra në karakter, të pa djallëzuara, të pa punuara kurrë, nëna të mira, bashkëshorte shëmbëllore, aristokrate në pamje dhe në sjellje, të gjitha këto shisnin pra aty, kokëulur, të heshtura, të trishtruara, që teksa i shihje aty që shishnin plaçkat e orenditë e shtëpisë për të mbetur në dërrasa, për një copë bukë, tek skuqeshin dhe me sytë e ulur dhe të perënduara tutje – tej, ndjenje vetëm se, keqardhje dhe admirim.
Mes tyre shisnin edhe nëna trime, të forta, nëna me shumë fëmijë, të ashpra, gra që në shikimin e tyre shihje forcë, burrëri, të pamposhtura, krenare, që të linin të kuptoje se ato edhe për një copë, apo për një krodhë bukë, do të luftonin, … do të luftonin.
Aty shihje plaka, gra, nuse, vajza, bashkëshorte të ish ministrave të dikurshëm por tashmë të shbërë, të ish politikanëve, ish ambasadorëve, të ish avokatëve dhe noterëve, shihje gra tregtarësh, doktorësh, piktorësh, kompozitorësh, patriotësh që u shkrinë për vëndin e tyre, borgjezësh, bejlerësh, kurbetësh, evgjitësh, etj, të gjithë aty, aty, për një copë bukë, për një krodhë bukë.
Burra kish më pak, pazari i dikurshëm i mallkuar i plaçkave dhe kjo për dy arsye mendoj unë, së pari sepse kur vjen puna, të rrosh a të mos rrosh, gratë tona janë më të forta se burrat dhe së dyti, sepse burrat e grave të pazarit në fjalë, në një farë mase ishin, viktimat direkt të ngjyrës së kuqe. Një pjesë e tyre dergjeshin burgjeve, një pjesë tjetër bëheshin gati për në burg dhe një pjesë tjetër akoma ruheshin si djalli nga temjani, se mos shiheshin dhe zgjonin pastaj të birin e djallit, duke i kujtuar këtij, se ata akoma janë dhe ekzistojnë.
Pazari pra i dikurshëm në Korçë, i quajtur pazari i plaçkave dhe i orendive të shtëpisë, ishte pazari ku shitej, gjithçka dhe aty pastaj blihej një copë bukë e shoqëruar kjo me poshtërimin, përbuzjen, lotët, ndëshkimin, luftën e klasave, deklasimin, deqytetërimin, rënimin shpirtëror dhe ekonomik të familjes dhe të individit, me shkatërrimin e kulturës, strukturës, të gjithçkaje.
Edhe një herë pra, ai pazar ishte një pushkatim moral i një pjese të popullit të Korçës, një pushkatim i cili e gjakosi shpirtin e qytetit tonë sa s’thuhet. Ai i la mbresa poshtërimi të pashlyeshme kujtdo që e jetoi atë, madje edhe fëmijëve të mitur, që u rritën aty mes nënave të tyre trime dhe ankthit për të shitur diçka, për të blerë një copë bukë.
Kurrë nuk do ta harroj atë pazar të mallkuar, ku më merrte e gjora nënë, e cila ndonëse nuk ish as 50 vjet dhe me një burrë të paralizuar, dergjej aty për të shitur gjithçka kish shtëpia dhe për të blerë pastaj, një copë bukë. Shiti aty gjithë plaçkat, shiti shtëpinë, e cila ishte ëndërra e saj që pati bërë dikur teksa ngrinte folenë, duke e parë sesi kjo i rrënohej tashmë aty para syve të veta, aty tek ai Pazar i mallkuar, shiti vitet e saj duke u dergjur atje për çdo të shtunë, për të mbetur në dërrasë, pa gjë, në fukarrallëk, në skamje, i shiti pra të gjitha ç’kishim në shtëpi, për një copë bukë. Akoma edhe sot, e kam në shpirt të gjallë, ndjenjën e zezë të ditës së shtunë të dikurshme, kur më merrte ajo me vete aty, në atë pazar të tmerrshëm, duke më mbajtur edhe mua në krah aty pranë, një fëmijë as 10 vjet, që tek rrija, e rrija aty me orë të tëra, i vetmuar dhe vetëm e për vetëm me fytyrën e saj hallemadhe, shikoja doçkat e mia të plasaritura gjak, prej të ftohtit të dikurshëm të Korçës.
Kurrë mos u përsëritshin të tilla pazare, kurrë për asnjë, për këdo dhe askund në botë.
Pazari i dikurshëm i plaçkave dhe i sendeve të shtëpisë në Korçë është një nga njollat e turpit, më të mëdha, ku duket shëmtuar, sesi njeriu sillet si kafshë ndaj një tjetri njeri, kur e detyron këtë, të hiqet zvarë të tilla pazareve, për një copë bukë, … për një copë bukë.
I.V.B.
Vazhdojnë: “Furra e Vdekes”; “Netët e sekuestrimeve dhe Nefaili”, etj.

@NewsIn.Al
