Home Aktualiteti Për mua, njerëzit e sjellshëm janë superheronjtë e kohëve moderne.🫶/ Larisa Katundi

Për mua, njerëzit e sjellshëm janë superheronjtë e kohëve moderne.🫶/ Larisa Katundi

Screenshot

Për mua, njerëzit e sjellshëm janë superheronjtë e kohëve moderne.🫶

Ta themi si është… jeta sot është e vështirë.😏
Për disa madje edhe e padurueshme. E megjithatë, secili përpiqet të gjejë lumturinë e vet.
Disa e gjejnë çdo ditë edhe në gjërat më të vogla,në rrezet e diellit të mëngjesit, aroma e kafes, një përqafim, një kohë e kaluar bukur me njerëzit e dashur, një perëndim.
Ndryshe nga ata “të pakënaqurit” që vrapojnë gjithmonë pas gjërave materiale, ka ende njerëz që dinë të kënaqen me atë që kanë dhe të jenë mirënjohës.
Unë i dua njerëzit që gjejnë forcën të buzëqeshin edhe kur jeta nuk ka qenë e drejtë me ta.
Ata që e nisin ditën duke përshëndetur komshinjtë, që i thonë koleges “sa bukur je veshur sot”, që mbajnë derën hapur për një të moshuar, që përgëzojnë dikë për një arritje pa xhelozi e pa ligësi.
Njerëzit që dinë t’ua duan të mirën të tjerëve me zemër.

Përgëzoje mikun për biznesin e ri… dhe bëhu ti klienti i parë. Përgëzoje kolegun për suksesin e tij dhe puno fort për ëndrrën tënde. Komplimentoje atë vajzën që vishet bukur apo atë njeri që flet me edukatë e mirësi. Jepi zemër dikujt që po përpiqet të ecë përpara me talentin e tij, sepse ndonjëherë një fjalë e mirë mund ta bëjë të mos heqë dorë.
Përpiqu të gjendesh pranë mikut që po vuan humbjen e një prindi, tregoja që je aty. Qëndro pranë edhe atij që po kalon një krizë ekonomike apo një divorc, pa e gjykuar.
Nuk është gjithmonë e nevojshme të bësh gjëra të mëdha. Ndonjëherë mjafton të jesh prezent,jo indiferent.
Sepse shpesh ne nuk e dimë çfarë beteje po kalon tjetri dhe ndoshta një buzëqeshje, një kompliment, një fjalë mbështetëse apo pak mirësi mund t’ia ndryshojë vërtet ditën,ndoshta edhe jetën.
Të jesh i sjellshëm nuk është hipokrizi, eshtë NJERËZI.
Dhe nuk humbet asgjë duke qenë i tillë,përkundrazi… lë diçka të bukur pas vetes, çdo ditë.😉

Larisa Katundi

@NewsIn.Al

Exit mobile version