POETI TOMAS TRANSTRÖMER,
QË NA E SOLLI NATASHA LAKO…
Nga Visar Zhiti
Është dita e tij, i ngjan poezisë së tij, por ka dhe diçka nga dita e parë e botës.
Poeti suedez i çmimit Nobel, Tomas Transtrőmer sot do të ishte 93 vjeç, por ka 9 vet që ka ikur të përfundojë gjysmën tjetër të qiellit.
Kështu është dhe titulli i librit të tij në shqip, “Qiell i lënë përgjysmë”, e ka përkthyer shkëlqyer Poetja jonë e dashur Natasha Lako. Ajo e solli, madhërishëm do të thosha, në fillim na dha librin “Perandoria e barit”, titull uitmanian më dukej, por ja, duhej që nga toka të shkohej në qiell…
Po Natasha Lako na solli dhe poetin vetë në Tiranën e shqetësuar, e mbaj mend në atë panair libri, ai m’u duk si një gjysmë perëndi në karrocën e tij, e shtynte e shoqja, kishte pësuar një aksident të rëndë, edhe pianos mund t’i binte vetëm me një dorë, kërkoi një piano, që të luante ndonjë pjesë për të përshëndetur të pranishmit në përurimin e librit të tij. Unë guxova dhe fola:
– Maestro, keni ardhur në një vend dhe në një kohë, kur mund të gjenden fare kollaj kallashnikovët, por jo një piano…
Atij i iku habia pasi Natasha i shpjegoi shkurt 1997 tek ne dhe po buzëqeshte dhe ai.
Dhe fati deshi që të takoheshim. Ai do të ishte me bashkëshorten dhe me shoqëruesen e tyre, Natashën, aq zemërmirë, ndërsa unë me Edën do të kishim dhe djalin, Atjonin e vogël, që e pëlqeu shumë poetin, kishte diçka prej gjyshi. Na lejuan të bënim dhe fotografi së bashku, që është botuar në librin e Atjonit, “Për atë që dua(m).
Do të tregoj së fundmi dhe atë që do të më tregonte Natasha Lako, kur e përkthente, ishte në Suedi, punonte në ambasadën tonë, nisi komunikimin me poetin e madh, Transtrőmerin, nobelistin e ardhshëm, në fillim me telefon, pastaj lanë një takim. Dhe kur shkoi, – do të ishte takimi i parë, – e pa në karrocë. Nuk e dinte. Aksidenti kishte ndodhur dikur. Gazetat nuk e përmendin këtë fakt fare, ndërsa në Tiranë për këtë shkruajtën më shumë se për poezitë e tij, kur endej nëpër panairin e librit… ashtu si një gjysmë perëndi, e shoqja shtynte karrocën… pamja e gjitha si një vegim qiellor.
Duke qenë larg, duke mos i patur librat këtu, që të vija ndonjë nga poezitë e përkthimit brilant të Natashës, përktheva vetë njerën, në nderim të tij, në ditën e lindjes:
Tomas Tranströmer
PARAJSA GJYSMË E PËRFUNDUAR
Dëshpërimi ndërpret rrjedhën e tij.
Makthi ndërpret rrjedhën e tij.
Skifteri ndërpret fluturimin e tij.
Drita e etur rrjedh jashtë
edhe fantazmat gëlltisin një gllënjkë.
Dhe pikturat tona shohin
dritën e ditës,
kafshët tona të kuqe të studiove
të epokës së akullit.
Çdo gjë fillon të shikojë përreth.
Ne ecim në diell kaq shumë.
Çdo njeri është një derë
gjysmë e hapur,
Që të çon në një dhomë për të gjithë.
Trualli i pafund poshtë nesh.
Uji shkëlqen midis pemëve.
Liqeni është një dritare në tokë.
Përktheu: Visar Zhiti
@NewsIn.Al