Protestuesi, abstenuesi dhe anti-protestuesi!
Tri protesta, ajo e PD-së, ajo e nisur nga Adriatik Lapaj personalisht dhe ajo e Lëvizja Bashkë, nuk bëjnë më shumë se 1000 njerëz sëbashku.
Unë personalisht, mund të mos bie dakord politkisht me asnjë prej organizatorëve, por mbështes çdo kënd prej atyre që i organizojnë ato dhe me çdo kënd prej atyre që kanë dalë në protestë. Sepse protesta është akt qytetarie, akt demokracie, akt civilizimi!
Fakti që organizohen paralelisht tri protesta, është histori më vete, por unë dua të trajtoj dy çështje këtu:
E para: Përse nuk dalin shqiptarët në protesta?
-Nuk kanë arsye? Të paktën në Tiranë, unë them se do të mjaftonte skandali i spitalit onkologjik apo edhe shkatërrimi i fushatve sportive tek diga e liqenit për të bërë kulla, për ti nxjerre njerëzit në rrugë. Nuk po flas për skandalet e korrupsionit.
-Ka vdekur nervi i reagimit? Nuk ka mbetur njeri që mund të ngrejë zërin dhe grushtin? Do të ishte fatale dhe fundi i një shoqërie.
-Ata që i ftojnë njerëzit në protesta nuk bindin, nuk janë të besueshëm dhe frymëzues për tu ndjekur? Dua të besoj që të jetë kjo.
-Mos vallë shqiptarët janë në shumicë dërrmese njerëz të lumtur dhe kritikët rrahin ujë në havan? Edhe kjo mbetet për tu parë.
E dyta: Sjellja e të tjerëve ndaj protestuesve
Për të kuptuar pak më shumë qasjen e njerëzve, kam lexuar shumë komente nga postimet në rrjet të Adriatik Lapajt. Ka shumë që e mbështesin, e përgëzojnë. Do mjaftonte që ata që e mëbështesin në rrjet ti bashkoheshin, që protesta të merrte tjetër përmasë. Por ka shumë të tjerë që bëjnë ironi, tallen, e gjykojnë dhe bullizojnë veprimin e tij. Ca i thonë je i Berishës e ca i Ramës. Ca bëjnë meme e ca qeshin me memet.
Mund të them se, që të mos protestosh, është zgjdhje e mirëkuptueshme, por të tallesh me atë që proteston, është pika fundore e një shoqërie. Sepse çdo njeri që proteston, sado të dyshimta mund të jenë mendimet e të tjerëve, ai është një qytetar më i mirë sesa ai që rri apo që tallet me atë që proteston.

Mentor Kikia
@NewsIn.Al
