Rrëfenjë satirike: Thoma Goga
Ç’ËSHTË 4 PRILLI?
Sot është 4 prilli. E dini ju ç’është 4 prilli, mo? As unë s’e dija, po e mësova. Edhe ju lexoni që ta mësoni.
Meseleja që do rrëfej tani ka ndodhur vite e vite të shkuara në një shkollë fshati andej nga anët tona. Ishte fillim i prillit. Shkolla ishte model në krahinë për rregull dhe disiplinë. Drejtori i shkollës, shoku Tajar, njihej si burrë babaxhan. Në ato kohë gëzimin ja kishte shtuar dhe ardhja në jetë e nipit të tij. Meqë ishte nostalgjik për figurat e njohura të shtetit sovjetik, borrokoçit të vogël i vunë emrin STALIN. Kjo ja shtonte edhe më shumë krenarinë.
Jeta shkonte e rridhte dhe Stalini i vogël rritej. Po në ditët e para të atij prilli, nuk ndihej mirë drejtor Tajari. Helm e vrerë, nxinte e sterronte si fund tigani. Romuzet në fshat nuk maten me kandar. Ca thoshin se shoku Tajar mbeti duke qarë, ngaqë kishte vdekur nëna e sekretarit të parë. Dhe punës ja kishte varur. Pastaj u hap llafi se Stalini i vogël ishte sëmurë. Kishte 2-3 ditë që as hante, as pinte. Kishte qënë llaf i saktë se e kishte vizituar edhe Lutua, doktori i fshatit. Shkurt; Stalini ishte bërë kaps. Megjithatë drejtor Tajari bënte sikur bënte ndonjë punë drejtorllëku. Dhe në mëngjesin e 4 prillit urdhëroi që nxënësit të mos futeshin në shkollë. Kishte një lajm të rëndësishëm për të thënë. Pasi nxënësit u rreshtuan sipas klasave, mësuesi i shërbimit ditor ja dha fjalën shokut drejtor. Në këto raste Tajari fryhej si me kompresor.
– Të dashur nxënës, para se të hyjmë në mësim, dua të bëj një pyetje; Ç’është 4 prilli?
U krijua një rrëmujllëk. Jo vetëm nxënësit, po edhe mësuesit shqyen sytë. Asnjë ngjarje nuk u kujtonte kjo datë. Njëri prej mësuesve, ai më shakatori, u afrua dhe i belbëzoi drejtorit:
– Mos e keni llafin për 1 prillin?
– Jo, jo. E kam për 4 prillin.
– Mbase e keni për 7 prillin, – u hodh mësuesja e historisë që i dinte më mirë ngjarjet historike.
– O ho, – ngriti zërin drejtori, – unë them 4 prill, kurse kjo…
Atë çast nga mbrapa shkollës mbërriti me vrap një nga mbesat e drejtor Tajarit dhe ulëriti fort.
– O gjysh, o gjysh ka dhjerë Stalini…
Nxënësit dhe mësuesit ja plasën gazit. U çel në fytyrë dhe drejtor Tajari, tamam si lule behari. Edhe pse nuk mori përgjigje për pyetjen e tij, lajmi që erdhi nga mbesa ishte flori e shkuar floririt. Punë e madhe; rëndësi ka që u lirua nipi.
Ja kështu, që thoni ju, data 4 prill andej nga anët tona “hyri në histori” si dita kur u “shkarkua” Stalini, “krenaria” e Tajar trimit …
(TH.G.) Thoma Goga
@NewsIn.Al
