Rritet numri i kërkesave për azil në Shqipëri, INSTAT: egjiptianët kryesojnë listën e azilkërkuesve
Numri i shtetasve të huaj që kërkojnë azil në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar një shtim të flukseve migratore drejt vendit.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë vitit 2025 u regjistruan 144 kërkesa për azil, ose 40 më shumë se në vitin 2024. Krahasuar me një vit më parë, kjo përkthehet në një rritje prej mbi 38% të numrit të azilkërkuesve.
Referuar vendeve të origjinës, pjesën më të madhe të kërkesave e përbëjnë shtetasit e Egjiptit, të cilët zënë 39.6% të totalit. Pas tyre renditen shtetasit nga Afganistani me 11.8% dhe Palestina me 9.7%, ndërsa pjesa tjetër e kërkesave i përket shtetasve nga vende të tjera.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se aplikimet nuk kanë qenë të shpërndara në mënyrë të barabartë gjatë vitit. Mbi 63% e kërkesave për azil janë depozituar vetëm gjatë muajve gusht, shtator dhe tetor, duke e bërë këtë periudhë kulmin e fluksit të azilkërkuesve në Shqipëri.
Nga ana tjetër, statistikat e INSTAT evidentojnë edhe të dhënat për marrjen e shtetësisë shqiptare nga shtetasit e huaj. Gjatë vitit 2025, në total 495 persona fituan shtetësinë shqiptare, prej të cilëve 306 e rifituan atë, ndërsa 189 e morën për herë të parë.
Shumica e përfituesve ishin me origjinë nga Kosova, të cilët përbënin mbi 56% të totalit. Pas tyre renditen shtetasit nga Turqia me rreth 20%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Italia përfaqësojnë secila nga 4.8% të rasteve.
Sa i përket strukturës sipas moshës, grupmosha 30–39 vjeç përbën kategorinë më të madhe të personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare.
Sipas ekspertëve, rritja e numrit të azilkërkuesve lidhet me ndryshimet në flukset migratore dhe situatën në vendet e tyre të origjinës. Megjithatë, pavarësisht këtij trendi në rritje, numri i kërkesave për azil në Shqipëri mbetet relativisht i ulët krahasuar me shumë vende të tjera evropiane.

@NewsIn.Al