Home Aktualiteti Sa e vështirë të blesh një apartament në Shqipëri/ Shpëtim Luku

Sa e vështirë të blesh një apartament në Shqipëri/ Shpëtim Luku

Screenshot

Sa e vështirë të blesh një apartament në Shqipëri!

Gjithmonë kam pasur idenë se të blesh një shtëpi në Shqipëri është një proces tejet i vështirë.
Jo domosdoshmërisht për arsyet klasike që lidhen me një blerje të tillë: çmimin, zonën, sipërfaqen, planimetrinë, cilësinë e ndërtimit, orientimin, katin apo edhe mundësinë për të siguruar financimin. Këto janë faktorë që, sado të vështirë të jenë për t’u peshuar, në fund të fundit mund të analizohen. Blerësi i vendos në një peshore dhe, herët a vonë, merr një vendim.
Vështirësia e vërtetë, të paktën në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme, qëndron diku tjetër: tek ajo që nuk mund të parashikosh. Tek improvizimi. Tek pasiguria se çfarë do të ndodhë me apartamentin tënd jo brenda tij, por jashtë tij.
Mund të blesh një apartament sepse ka një pozicion të shkëlqyer. Shitësi të tregon me entuziazëm se nga dritarja sheh Malin e Dajtit. Pamja është e bukur dhe, natyrisht, ajo pamje ka edhe një çmim. Madje mund të jetë një nga argumentet kryesore përse apartamenti kushton më shumë se një tjetër, vetëm disa qindra metra më tutje.Ti e blen. Hyn në shtëpi.
Dhe pas pak kohësh, në parcelën ngjitur, nis të ngrihet një godinë. Dhe ndërsa ndërtesa rritet, Mali i Dajtit zvogëlohet. Deri sa një ditë zhduket fare nga dritarja jote.
E njëjta histori mund të përsëritet edhe në bregdet.
Blen një apartament me pamje nga deti. Në një zonë ku kjo pamje është një nga arsyet kryesore të çmimit. Shitësi ta shet jo vetëm apartamentin, por edhe horizontin. Ti paguan më shumë sepse nga ballkoni sheh detin. Pastaj, pas disa vitesh, fillon të ndërtohet një godinë përpara.
Dhe ndërsa godina ngrihet, deti fillon të zhduket.
Në fund, mbetet vetëm godina.
Deti nuk është larguar, por thjesht është zhdukur nga sytë e tu.
Këtu qëndron një nga paradokset e tregut shqiptar të apartamenteve. Blerësi shpesh nuk blen vetëm një sipërfaqe të ndërtuar me metra katrorë. Ai blen edhe pozicionin, dritën, hapësirën përpara, pamjen, qetësinë, distancën nga godina tjetër. Dhe të gjitha këto mund të jenë pjesë e çmimit.
Por sa prej tyre janë realisht të garantuara? Sepse mund të paguash një çmim të kripur pikërisht për një avantazh që nuk e ke blerë dot në mënyrë të sigurt.
Nëse një apartament kushton më shumë sepse ka pamje nga deti dhe pas disa vitesh ajo pamje zhduket pas një godine tjetër, atëherë nuk ka ndryshuar vetëm panorama. Ka ndryshuar edhe vlera relative e apartamentit.
Kjo është arsyeja pse blerja e një apartamenti në Shqipëri shpesh ngjan më shumë me një bast mbi të ardhmen sesa me një vendim të bazuar vetëm në gjendjen e sotme.
Natyrisht, ekzistojnë mënyra për ta kufizuar këtë rrezik. Njëra prej tyre është të mos shikosh vetëm pallatin që po blen, por të studiosh edhe atë që ndodhet përpara, pas dhe anash tij. Të shohësh jo vetëm çfarë është ndërtuar, por edhe çfarë mund të ndërtohet.
Madje, në një realitet ku parcelat me hapësira të konsiderueshme ndërmjet godinave janë të pakta, një rregull praktik mund të jetë: nëse një pallat ka shumë pak hapësirë të lirë përpara ose pas, duhet të konsiderosh seriozisht mundësinë që një ditë ajo hapësirë të mos jetë më e lirë.
Sepse toka bosh në një qytet si Tirana nuk është gjithmonë një hapësirë bosh. Mund të jetë një pallat që ende nuk ka filluar të ndërtohet.
Ndoshta për këtë arsye një nga mënyrat më të sigurta për të reduktuar këtë lloj pasigurie është blerja në një kompleks të planifikuar si tërësi. Jo sepse komplekset janë automatikisht më të mira, por sepse në një projekt të konceptuar dhe zhvilluar si një ansambël, hapësirat, distancat dhe përdorimi i territorit kanë më shumë gjasa të jenë pjesë e një plani të paracaktuar, sesa rezultat i improvizimeve të mëvonshme.
Kur blen një apartament, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “çfarë po blej sot?”, por edhe: “çfarë do të shoh nga dritarja ime pas pesë apo dhjetë vitesh?”
Sepse në Shqipëri mund të blesh një apartament me pamje nga Mali i Dajtit. Ose me pamje nga deti.
Por askush nuk duhet të jetë plotësisht i sigurt se do ta ketë ende atë pamje kur të mbarojë së paguari kredinë.

@NewsIn.Al

Exit mobile version