Home Aktualiteti Shpalleni gjendjen e jashtëzakonshme në juglindje. Rrugët po shemben, segmentet po rrëshqasin…

Shpalleni gjendjen e jashtëzakonshme në juglindje. Rrugët po shemben, segmentet po rrëshqasin…

Shpalleni gjendjen e jashtëzakonshme në juglindje. Rrugët po shemben, segmentet po rrëshqasin, dhe infrastruktura që u propagandua si “rilindje” po shpërbëhet para syve tanë.
Nuk ka më vend për justifikime teknike, për motin, për reshjet, për “faktorë natyrorë”.
Kur rrugët bien pas pak vitesh përdorimi, problemi nuk është natyra, është njeriu.

Sillni kompani të huaja me reputacion ndërkombëtar për të marrë përsipër auditimin teknik dhe ndërhyrjen emergjente. Sepse dukshëm, kompanitë që kanë dominuar tenderat publikë ndër vite duhet të jenë nën hetim të plotë, jo në kontrata të reja. Deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive, çdo kompani e përfshirë në projekte që sot po shemben duhet të jetë nën sekuestro administrative dhe financiare.

Po aq përgjegjësi mbajnë edhe ata që kanë firmosur leje shfrytëzimi, që kanë miratuar projekte pa studime serioze gjeologjike, që kanë mbyllur sytë ndaj paralajmërimeve të specialistëve. Lejet nuk jepen sipas qejfit, por mbi bazë sigurie publike.

SPAK-u dhe prokuroritë e rretheve duhet të jenë në terren, jo në deklarata. Duhet të hapen hetime për:
– cilësinë e projekteve,
– fondet e përdorura,
– supervizimin teknik,
– dhe zinxhirin e firmave e përgjegjësive.

Sepse sot nuk kemi thjesht një problem rruge. Kemi një paralizim të zonave të tëra, një rrezik për jetën e qytetarëve dhe një model investimesh që duket se funksionon vetëm në letra dhe inaugurime.

Nëse infrastruktura bie me reshjen e parë serioze, atëherë nuk kemi ndërtuar zhvillim, kemi ndërtuar vetëm fasadë.

Lori Sina.

@NewsIn.Al

Exit mobile version