Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka paralajmëruar ditën e djeshme arrestime në nivele të larta nga prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion. Ai u shpreh se SPAK pritet të sjellë zhvillime të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit, duke bërë që së shpejti të ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar. I ftuar në një studio televizive Braho, zbuloi se brenda këtyre dy javëve nga hetimet e SPAK mund të përfundojnë në pranga ministra aktualë, por edhe ish-ministra.
“Kam thënë që SPAK se shpejti hap siparin e goditjeve penale, edhe ndodhi, kreu një operacion gjigant policor, arrestimesh, kur përfshihet veç të tjerash edhe i famshmi Dumani, i cili mesa duket duke u vënë në statusin e të penduarit ka hapur edhe thesin, duhen provuar se në të tilla raste ka edhe spekulantë që marrin pozicionin e të penduarit. Në këtë vazhdë natyrisht bëhet fjalë edhe për çështje të rëndësishme që ka filluar SPAK për korrupsionin krimin e organizuar, po hetohet dy tre ministra janë të arrestuar, të mos e them që do arrestohen, do arrestohen edhe të tjerë. Aktualë apo ish-ministra? Domethënë edhe ish edhe aktualë. E fortë? Po ca ke ti, do takohemi sërish pas dy javësh bashkë”, tha Spartak Braho.
Braho: Larg duart nga SPAK
Spartak Braho ka reaguar gjithashtu sa i takon ofensivës që kryeministri Edi Rama ka nisur kohët e fundit ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku në Asamblenë e Përgjithshme të PS, kreu i qeverisë ashpërsoi tonet kundrejt SPAK, duke i kërkuar arrestimet e “Peshqve të Mëdhenj”. Braho u shpreh se Rama po ndërhyn në punët e drejtësisë. Ai tha se nuk ka punë kryeministri apo drejtues të politikës të thonë pse arreston majtas e jo djathtas ose anasjelltas “Ndërhyrje në punët e SPAK, s’ka punë kryeministri apo drejtues të politikës të thonë pse arreston majtas e jo djathtas ose anasjelltas. Larg duart nga SPAK, ose t’i vërë para përgjegjësie penale”, tha Braho.
Deputeti i PS: Ja kush është presidentja e re
Ish-deputeti socialist gjithashtu foli edhe për temën e shumëkomentuar, atë të Presidentit të ri. Braho është shprehur se mazhorancës i mungoi seriozitetit. “Serioziteti nga mazhoranca e cila përballë një opozitë inekzistente e luajti lojën pa atë mendësinë e madhe. Detyrimin e madh që ky organ është pjesë e rëndësishme e shtetit dhe duhet marrë me seriozitet jo bëj ti letra me vrima, propozoni tërë se kush do zgjidhet.
Janë propozuar mijëra emra, edhe berberi i lagje sime e kishin propozuar meqë ky qeth mirë duhet një president që qeth mirë. Kur sa opozitë kështu do ndodhë”, u shpreh ai. Sipas tij, PS do ta zgjedhë presidentin në raundin e katërt që do të zhvillohet të shtunën, ndërsa u shpreh se do jetë një grua, ish-ministre, që ndërkombëtarët e kanë pranuar pjesë të strukturave euroatlantike. Duket se Braho i referohet, ish-ministres demokrate, Majlinda Bregut, aktualisht sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. “Do zgjidhet në raundin e katërt, do jetë një zonjë që gjuante djathtas e priste majtas që ndërkombëtarët e kanë pranuar se pjesë të strukturave euroatlantike dhe që origjinën e ka nga Durrësi. Ish-ministre? Ish-ministre”, tha ish-deputeti socialist.
Braho: Apeli nuk do e njohë Berishën
Spartak Braho gjatë intervistës televizive nuk la pa analizuar edhe situatën kaotike në Partinë Demokratike. Teksa ka folur për përçarjen e demokratëve, Braho është i bindur se Apeli nuk do t’i japë partinë ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai e cilësoi liderin historik të PD-së si një kufomë politike.“Berisha nuk është më faktor politik, është kadavër, kufomë politike, populli i thotë xhenaze. Ai ka 5 mijë, 10 mijë, 100 mijë mbështetës i ka, një pjesë e tyre janë idealist, një pjesë patriot, ka nga ata të mashtruarit të gënjyerit. Nuk ka parti. Zyrtarisht PD është partia që është vendosur në gjykatë, komanduar nga Alibeaj. Apeli nuk e njeh Berishën, sepse s’ka arsye ligjore ta njohë”, përfundoi Braho.
(Burimi:Fakti.Al)
@NewsIn.Al