U rritëm bashkë qyteti im
Je thjesht një ëndërr, fantazmë apo imagjinatë?!
Me fjalë të huazuara, me njerëz të huazuar, me kulturë të huazuar!
Se di, por nuk po të njoh më si më parë?! Qyteti i ëndrrave të mia!
Dhe ti sikur të ishe njeri, fillove të shtiresh, njëkohësisht të ankohesh nën buzë, se mbase dikush të dëgjon dhe dhimbja jote kthehet në mllef!
Dëshmitar kë të marrësh? Edhe sikur rrugicat e kalldrëmta që u kthyen në asfalt dhe beton, ato gojë nuk kanë. Sikur pemët e rrugëve që kanë parë e stërparë histori shekullore, ato me gunga mbuluan plagët e tyre, gjithashtu nën heshtje! Rrëshira e pishave si lot i një nëne me fëmijët e saj kurbetllinj, e çfarë mund të thotë?! Shtëpitë e braktisura me muret e rëna, çatitë me vrima që lëngojnë për vete, ato ç’mund të thonë?!
U mplake Qyteti im, dhe duke shtrënguar dhëmbët përpiqesh të dukesh sikur buzëqeshën. Po shpresa? A ke një fije shpresë për një nesër? Nën të njëjtin frymojmë që të dy, biles edhe “ata” po nën këtë Qiell frymojnë bashkë me ne, frymojnë, por pa jetuar! Dhe unë, dhe ti pyesim vetveten, a do të ketë një nesër, por pa llogaritur të nesërmen e sotme?!
Tani ti ke mbetur jetim, nën rrënojat e një lufte në paqe! Por unë, ai, ajo, do të bëjmë të pamundurën për të të rikthyer dinjitetin, në të kundërt, Ai le të thotë fjalën e fundit!
Arben Petro Trebicka – Korçë, tetor 2025
@NewsIn.Al