Home Aktualiteti Zelensky në Beograd: Kur solidariteti kërkohet pa reciprocitet

Zelensky në Beograd: Kur solidariteti kërkohet pa reciprocitet

Zelensky në Beograd: Kur solidariteti kërkohet pa reciprocitet

Kam punuar për afro pesë vjet në Kosovë, në projekte që kanë pasur në qendër afrimin e saj me Bashkimin Europian, integrimin në programet europiane dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj. Kam pasur mundësinë të punoj nga afër me administratën kosovare, me institucione qendrore, me profesionistë dhe qytetarë të këtij vendi. Për këtë arsye, besoj se kam jo vetëm të drejtën, por edhe një përgjegjësi personale për të shprehur një opinion kur një çështje prek drejtpërdrejt pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Dhe deklarata e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd meriton pikërisht një reagim të tillë.

Më 8 gusht, në kryeqytetin serb, Presidenti i një vendi që prej më shumë se katër vitesh kërkon nga bota demokratike të mbrojë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, rikonfirmoi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se qëndrimi i saj ndaj deklaratës së pavarësisë së Kosovës “mbetet i pandryshuar”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kuptueshëm, e falënderoi publikisht Ukrainën për këtë pozicion.

Në aspektin e diplomacisë së ngushtë shtetërore, mund të gjenden shpjegime për këtë qëndrim. Në aspektin moral dhe politik, gjithsesi, ai është shumë më i vështirë për t’u justifikuar. Sepse ekziston një pyetje elementare që Kievi nuk mund të shmangë pafundësisht: Sa gjatë mund t’i kërkosh një shteti solidaritet të pakushtëzuar për sovranitetin tënd, ndërkohë që refuzon të pranosh vetë sovranitetin e tij?

Kosova zgjodhi Ukrainën pa i kërkuar asgjë në këmbim. Kosova nuk priti që Ukraina ta njihte për të vendosur se në cilën anë të historisë duhej të qëndronte pas agresionit rus. Që në fillim të pushtimit rus, Kosova u rreshtua politikisht me Ukrainën dhe me demokracitë perëndimore. Ajo adoptoi paketat e sanksioneve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, pavarësisht faktit se nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk kishte një detyrim formal për ta bërë këtë. Vendimet e qeverisë kosovare kanë përfshirë zbatimin e masave europiane kundër individëve, entiteteve dhe sektorëve rusë të lidhur me agresionin ndaj Ukrainës.

Kosova ofroi gjithashtu ndihmë humanitare për Ukrainën. Sipas raportit të Komisionit Europian, qeveria kosovare akordoi 100,000 euro ndihmë humanitare, krijoi fonde për strehimin e gazetarëve ukrainas dhe shprehu gatishmërinë për të pritur mijëra refugjatë ukrainas. Njëzet gazetarë nga Ukraina u përfshinë në skemën e strehimit dhe mbështetjes në Kosovë. Më pas mbështetja kaloi edhe në dimensionin e sigurisë. Kosova u angazhua në trajnimin e personelit ukrainas dhe njoftoi paketat e para të ndihmës ushtarake për Ukrainën – një fakt i evidentuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e tij për Kosovën.

Pra, Kosova – një vend i vogël, me burime të kufizuara, ende jashtë NATO-s, jashtë Bashkimit Europian dhe pa njohjen e pesë shteteve anëtare të BE-së – bëri atë që konsideroi moralisht dhe politikisht të drejtë. Dhe e bëri këtë duke mbështetur një shtet që as sot nuk e njeh ekzistencën e saj si shtet. Kjo nuk është një hollësi diplomatike. Është thelbi i problemit.

Kosova nuk është Krimea. Argumenti që dëgjohet prej vitesh për pozicionin ukrainas është i njohur: njohja e Kosovës, thuhet, mund t’i krijojë Kievit probleme në argumentimin juridik kundër aneksimit rus të Krimesë dhe pretendimeve separatiste të mbështetura nga Moska. Ky argument mund të shpjegojë historikisht kujdesin ukrainas. Por nuk është më bindës. Kosova dhe Krimea nuk janë raste juridikisht, historikisht dhe politikisht të barasvlershme. Kosova nuk u shkëput nga Serbia pas hyrjes së ushtrisë së një shteti fqinj, organizimit të një referendumi nën kontrollin e asaj ushtrie dhe aneksimit të territorit nga ai shtet.

Kosova kaloi nëpër luftë, represion të rëndë, ndërhyrje ndërkombëtare, një administrim shumëvjeçar të Kombeve të Bashkuara dhe një proces të gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit të saj. Dhe ekziston një fakt juridik që nuk mund të injorohet. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara – konkludoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Vendimi nuk detyronte shtetet ta njihnin Kosovën dhe as nuk krijoi një të drejtë universale për shkëputje. Por ai rrëzoi argumentin se vetë deklarimi i pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse përpjekja për ta vendosur Kosovën dhe Krimenë në të njëjtën ekuacion juridik është jo vetëm e pasaktë, por edhe e dobishme kryesisht për propagandën ruse. Në fakt, Moska e ka përdorur prej vitesh Kosovën si një justifikim retorik për veprimet e saj në hapësirën postsovjetike. Pikërisht për këtë arsye Ukraina duhet të kishte interesin të çmontonte analogjinë ruse, jo ta ushqente atë duke vazhduar ta trajtojë Kosovën përmes të njëjtës logjikë territoriale që përdor Beogradi.

Problemi bëhet edhe më evident kur deklarata bëhet në Beograd. Serbia vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, edhe pse është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe gjatë vizitës së Zelenskyt, Vuçiç nuk dha ndonjë sinjal se ky qëndrim do të ndryshonte. Kosova, ndërkohë, i ka harmonizuar masat e saj ndaj Rusisë me ato të BE-së dhe SHBA-së. Krijohet kështu një paradoks i vështirë për t’u shpjeguar politikisht: Serbia nuk i bashkohet sanksioneve kundër agresorit të Ukrainës, por Ukraina shpërblen Beogradin me mbështetje në një prej çështjeve më të rëndësishme të politikës së jashtme serbe. Kosova i bashkohet sanksioneve, mbështet Ukrainën politikisht, humanitarisht dhe në fushën e sigurisë, por Ukraina vazhdon t’i mohojë njohjen.

Mund ta quajmë Realpolitik. Por nuk duhet ta ngatërrojmë Realpolitikën me parimin. Dhe, mbi të gjitha, nuk duhet t’i kërkohet Kosovës të sillet sikur kjo kontradiktë nuk ekziston.

Edhe Shqipëria ka të drejtë të kërkojë më shumë koherencë. E njëjta pyetje mund të shtrohet edhe nga Tirana. Shqipëria ka qenë një ndër mbështetëset më të vendosura të Ukrainës në arenën ndërkombëtare. Gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shqipëria mori një rol shumë më të madh sesa pesha e saj gjeopolitike do të sugjeronte normalisht, duke shërbyer bashkë me Shtetet e Bashkuara si bashkëmbajtëse e dosjes politike për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria ka mbështetur sanksionet, rezolutat ndërkombëtare, sovranitetin ukrainas dhe aspiratat europiane të Kievit. Kjo mbështetje ka qenë e drejtë. Dhe duhet të vazhdojë. Sepse mbështetja ndaj Ukrainës nuk duhet të jetë një favor ndaj Volodymyr Zelenskyt. Është mbështetje ndaj një populli dhe ndaj një parimi: se kufijtë e Europës nuk ndryshohen me tanke. Por pikërisht sepse Shqipëria e ka mbrojtur këtë parim me kaq vendosmëri, ajo ka të drejtën politike dhe morale t’i thotë Kievit se solidariteti ndërmjet vendeve demokratike nuk mund të funksionojë gjithmonë vetëm në një drejtim. Mirënjohja nuk është instrument juridik. Por politika nuk është vetëm veprim juridikë. Natyrisht, njohja e një shteti nuk bëhet si shpërblim për një paketë sanksionesh, një ndihmë humanitare apo një votë në një organizatë ndërkombëtare. Askush serioz nuk duhet t’i kërkojë Ukrainës: “Kosova ju ndihmoi, prandaj tani duhet ta njihni.” Politika e jashtme nuk funksionon kaq mekanikisht. Por politika e jashtme nuk është as një ushtrim steril juridik. Ajo ndërtohet mbi interesa, aleanca, besim, reciprocitet dhe – po – mbi kujtesën se kush qëndroi pranë teje kur ekzistenca jote ishte në rrezik. Kosova ka demonstruar me veprime se e konsideron agresionin rus ndaj Ukrainës jo vetëm si një konflikt të largët, por si një sulm ndaj rendit europian të sigurisë. Kievi, në një moment të caktuar, duhet të pyesë veten nëse vazhdimi i mosnjohjes së Kosovës i shërben vërtet Ukrainës apo thjesht i shërben një formule diplomatike të trashëguar nga një realitet tjetër. Sepse është e vështirë të predikosh çdo ditë para botës se sovraniteti yt nuk është subjekt negociate dhe, kur mbërrin në Beograd, të mbështesësh pikërisht mohimin e sovranitetit të një vendi që ka qëndruar hapur në anën tënde. Ndaj Zelensky duhet ta rishikojë këtë qëndrim. Presidenti Zelensky ka fituar me të drejtë respekt në një pjesë të madhe të botës për mënyrën se si ka përfaqësuar rezistencën e popullit ukrainas. Por respekti për Ukrainën nuk kërkon heshtje ndaj çdo vendimi të politikës së saj të jashtme. Përkundrazi. Miqësia politike serioze përfshin edhe aftësinë për t’i thënë një miku kur gabon. Dhe në çështjen e Kosovës, besoj se Ukraina gabon. Jo sepse Kosova duhet të njihet si shpërblim për mbështetjen që i ka dhënë Kievit. Por sepse realiteti i Kosovës, historia e saj, procesi ndërkombëtar që çoi në pavarësinë e saj dhe qëndrimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e bëjnë gjithnjë e më të pajustifikueshme barazimin implicit të rastit të saj me precedentët që Rusia ka prodhuar me forcën e armëve. Dhe sepse ka diçka thellësisht të papërshtashme kur një vend që kërkon solidaritet global për të drejtën e tij për të ekzistuar u mohon të njëjtin atribut atyre që kanë qenë ndër solidarët e tij më të qartë. Kosova nuk e mbështeti Ukrainën sepse Ukraina e njohu. E mbështeti edhe pse Ukraina nuk e njohu. Ndoshta tani është momenti që edhe Kievi të tregojë se politika e jashtme nuk ndërtohet vetëm mbi frikën nga precedentët, por edhe mbi aftësinë për të dalluar historinë, drejtësinë dhe miqtë. Sepse solidariteti mund të jetë i pakushtëzuar për një kohë.

Por nuk mund të jetë pafundësisht i njëkahëshëm.

Arben Papadhopulli

@NewsIn.Al

Exit mobile version