Home Aktualiteti Ziraat Bank në Shqipëri, banka e shtetit turk dhe mjeti i Erdoganit...

Ziraat Bank në Shqipëri, banka e shtetit turk dhe mjeti i Erdoganit në Ballkan

Analizë investigative, prill 2026

Kur banorët e pallatit nr. 15 në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë u zgjuan një mëngjes të vitit 2026 dhe gjetën ballkonet e tyre të zhdukura pas një shiriti reklamues të kuq, as ata dhe as opinioni publik shqiptar nuk e dinin shumë rreth bankës që po instalonte ato reklama pa leje. Emri ishte Ziraat Bank. Por historia pas atij emri është shumë më e gjatë, shumë më e ndërlikuar dhe shumë me peshë gjeopolitike nga ç’duket.

Çfarë është Ziraat Bank dhe kush e zotëron

Ziraat Bank është institucioni financiar më i madh në Turqi sipas totalit të aktiveve dhe numrit të degëve. Por ndryshe nga sa mund të duket nga jashtë, ajo nuk është një bankë private. Sipas të dhënave të QKB-së shqiptare, pronari i saj i vetëm dhe i padyshimtë është “Fondi i Pasurisë së Turqisë” (“Turkey Wealth Fund”, TWF), i cili zotëron 100% të aksioneve.

Fondi i Pasurisë së Turqisë u themelua në gusht 2016 dhe miliarda dollarë të aktiveve shtetërore, duke përfshirë Ziraat Bank, i janë transferuar atij në vitin 2017. Por ajo që e bën këtë strukturë pronësie politikisht të rëndësishme është kjo: Presidenti Erdogan emëroi veten kryetar të fondit dhe emëroi dhëndrin dhe Ministrin e Financave, Berat Albayrak, si zëvendëskryetar.

Me një dekret presidencial të vitit 2018, fondi u vendos nën autoritetin e drejtpërdrejtë të Presidentit Erdogan, i cili shërben si kryetar i bordit të drejtorëve. Fondi i raporton drejtpërdrejt presidencës. Kjo do të thotë se Ziraat Bank nuk është thjesht bankë shtetërore. Ajo është, në thelb, instrument financiar i drejtpërdrejtë i presidencës turke.

Alpaslan Çakar, personi i identifikuar nga regjistri shqiptar si ai që “përcakton vendimet” për degën shqiptare, është drejtori i përgjithshëm i Ziraat Bank. Sipas deklaratave të tij publike të cituara nga Anadolu Agency, banka ka aktive që i afrohen 200 miliardë dollarëve dhe mbi 20% e vëllimit të tregtisë së jashtme turke realizohet nëpërmjet saj.

Lidhja me Erdoganin, një histori me precedentë serioze

Fondi i Pasurisë së Turqisë, pronar i Ziraat Bank, përshkruhet nga ekonomistët dhe opozita turke si “thesar paralel” dhe “fond sovran pa pasuri”, me strukturë drejtuese të mbushur me anëtarë të familjes dhe aleatë të ngushtë të Erdoganit.

Problemi nuk është vetëm strukturor. Ziraat Bank ka një histori të dokumentuar skandalesh ndërkombëtare. Zarrab dëshmoi në nëntor 2017 se ministri turk i ekonomisë i kishte thënë se Ziraat Bank ishte një ndër bankat turke që Erdogani kishte autorizuar të lëviznin fonde për Iranin, në shkelje të sanksioneve amerikane. Ziraat e mohoi. Më pak se dy javë pas dëshmisë së Zarrabit, banka mbylli degën e saj në Nju Jork, e cila kishte funksionuar që nga viti 1983.

Por historia vazhdoi edhe pas Iranit. Ziraat u bë institucioni financiar kryesor që Erdogani e përdori për të ndihmuar diktatorin venezuelian Nicolás Maduro, duke shërbyer si kanali nëpërmjet të cilit banka qendrore e Venezuelës paguante kontraktorë, lëvizte para dhe importonte produkte.

Në janar 2021 u zbulua se Fondi Sovran turk, i drejtuar nga Erdogani, kishte përdorur Ziraat Bank për të “zhdukur” një kredi me probleme prej 1.6 miliardë dollarësh të dhënë për blerjen e Turkcell, operatorit më të madh celular turk.

Ekspansioni ballkanik dhe Shqipëria

Hyrja e Ziraat Bank në Shqipëri nuk është e izoluar. Ajo është pjesë e një ekspansioni strategjik rajonal. Sipas njoftimit zyrtar të bankës, pas Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi, Greqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Shqipëria bëhet vendi i gjashtë ballkanik ku banka operon, duke çuar praninë e saj globale në 21 vende.

Drejtori Çakar e ka përshkruar këtë ekspansion hapur si “mbështetje strategjike për tregtinë e jashtme dhe investimet e ndërsjella të Turqisë.” Kjo frazë nuk duhet lexuar si retorikë bankare. Ajo pasqyron politikën e hapur të Ankarasë për të ndikuar ekonomikisht në Ballkan nëpërmjet institucioneve financiare shtetërore.

Kapitali, sipas regjistrit shqiptar, identifikohet si me origjinë turke. Pronari përfitues i vërtetë “nuk identifikohet” konkretisht, por gjithçka lidhet me Fondin e Pasurisë së Turqisë, i cili, siç vumë re më sipër, është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të presidencës Erdogan.

Nga reklama e paligjshme tek pyetja e madhe

Incidenti i rrugës “Sami Frashëri” ka diçka gati komike: një nga bankat më të mëdha shtetërore turke, me asete prej 200 miliardë dollarësh, nis aktivitetin e saj zyrtar publik në Shqipëri ne rrugën sipas emrit te rilindasit të madh Sami Frashëri dhe duke instaluar reklama pa leje mbi ballkonet e banorëve të pallatit. Inspektorati shqiptar (IMT) doli në terren dhe urdhëroi prishjen e pjesshme. Mbikëqyrësi i punimeve, me origjinë turke, pretendoi se “çdo gjë ishte me leje.”

Nuk ishte. E dokumentoi vetë IMT-ja.

Por ky incident i vogël hapë pyetje shumë më të mëdha: me çfarë qëllimesh strategjike, si ekonomike ashtu edhe gjeopolitike, hyn Ziraat Bank në tregun shqiptar? Kush e shqyrtoi dhe e aprovoi lejen e saj bankare, duke patur parasysh historikun e saj ndërkombëtar? Dhe cilat janë implikimet për pavarësinë financiare dhe rregullatorë të Shqipërisë kur ky institucion, i lidhur drejtpërdrejt me presidencën turke, fillon operacionet e tij në Tiranë?

Rregullatori shqiptar ka dhënë lejen. Por transparenca mbi procesin dhe kriteret e shqyrtimit të aplikimit mbetet e paqartë për opinionin publik.

Banka turke erdhi. Pyetjet kanë ardhur bashkë me të.(360grade)

@NewsIn.Al

Exit mobile version