Masakra në një treg Krishtlindjesh në Gjermani
Autoritetet gjermane në Magdeburg u alarmuan të premten mbrëma.
Sipas mediave gjermane, një makinë ka përplasur një grup personash në një treg Krishtlindjesh.
Një zëdhënës i qeverisë lokale tha se disa njerëz u plagosën dhe disa u vranë ndoshta, raportoi Reuters, duke cituar transmetuesin publik MDR.
“Midis 60 dhe 80 persona u plagosën kur një makinë u përplas në një treg Krishtlindjesh sot në qytetin verior gjerman të Magdeburgut”, tha një zëdhënës i shërbimeve lokale të urgjencës për AFP.
Sipas këtyre shërbimeve, disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
Të paktën një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën, njoftoi transmetuesi MDR, duke cituar policinë lokale.
Disa media flasin për disa të vdekur, të paktën 11 dhe për një sulm, por autoritetet nuk e kanë konfirmuar këtë për momentin.
Bild raporton se drejtuesi i mjetit është arrestuar.
Dëshmitarët okularë, sipas gazetës gjermane, thonë se makina u përplas me turmën që po shkonte drejt bashkisë.
Sulmuesi, i cili, sipas mediave gjermane, vjen nga Arabia Saudite dhe ka lindur në vitin 1974, futi makinën në turmën që ndodhej në atë kohë në tregun e Krishtlindjeve të qytetit. Sipas WELT, sulmuesi, i cili mund të mos ketë qenë vetëm, kishte marrë me qira makinën ndërsa në sediljen e pasagjerit u gjet një bagazh, por nuk dihej nëse brenda kishte një mjet shpërthyes. Autoritetet nuk e kanë përjashtuar ende këtë skenar.

Një postim cnë X nga policia theksoi se operacione të gjera po zhvillohen në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, i cili është mbyllur dhe do të pasojnë përditësime të mëtejshme.
Magdeburgu ndodhet në perëndim të Berlinit dhe është kryeqyteti i shtetit Saksoni-Anhalt, me një popullsi prej 240,000 banorësh.
@NewsIn.Al

