Pjesëmarrja e fëmijëve të diasporës shqiptare në Greqi, në festivalin e fëmijëve në Korçë, festë e vërtetë që bashkon fëmijët shqiptarë kudo që ndodhen!
Festivali i 58-të i Këngës për Fëmijë, i organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga Bashkia Korçë, ishte një festë e vërtetë e shpirtit fëminor dhe e vlerave kulturore që i bashkojnë shqiptarët kudo ndodhen. Ky edicion solli një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke përforcuar gjithashtu lidhjet mes diasporës shqiptare në Greqi dhe vendlindjes.
Një nga momentet më të veçanta të këtij festivali ishte pjesëmarrja e vogëlushes Rea Demiras, e cila u vlerësua me çmimin “Nota e Artë” për këngën “Eja të lozim”, që përfaqësonte diasporën shqiptare në Greqi.
Autorja e tekstit, Elona Gjergo, një emër i njohur në komunitetin shqiptar në Greqi, ka treguar ndër vite një vëmendje të veçantë ndaj botës fëmijërore, jo vetëm përmes këngëve, por edhe me librin e saj “Bisha prej qelqi”. Ajo ka qenë gjithashtu autore e dy këngëve të tjera pjesëmarrëse në festivale të mëparshme:
– “Jemi edhe ne”, me muzikë të Daniela Jano, kënduar nga Xhoi Mance në Festivalin e Korçës
– “Fisnikja ime”, me muzikë të Kristi Bellos, interpretuar nga Brisilda Koro në Festivalin e Shkodrës.
Elona Gjergo ishte ideatorja e pjesëmarrjes së Rea Demiras në këtë festival, duke sjellë jo vetëm një krijim artistik, por edhe një urë shpirtërore midis brezave dhe kulturave.
Kënga “Eja të lozim” u kompozua nga Anthulla Tili, ndërsa orkestrimi u realizua mjeshtërisht nga Zhani Ilia Llogori. Interpretimi i Rea Demiras u prit me shumë duartrokitje dhe emocion nga publiku.
Pjesëmarrja e fëmijëve të diasporës shqiptare në Greqi në festivale e aktivitete kulturore në Shqipëri ka një rëndësi të veçantë. Ajo jo vetëm që i fuqizon lidhjet me vendlindjen, por edhe kultivon identitetin dhe dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare tek brezat e rinj. Këto aktivitete ofrojnë mundësi unike për integrim, shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare në një kohë kur globalizimi sfidon identitetet lokale.
Përveç kësaj, pjesëmarrja në ngjarje të tilla i motivon fëmijët të zhvillojnë talentet e tyre artistike dhe të ndërtojnë vetëbesimin për të përfaqësuar me krenari komunitetin e tyre në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një falenderim i veçantë shkon për Qëndrën Kulturore të Fëmijëve ” Mihal Grameno” në Korçë për organizimin e këtij eventi të mrekullueshëm!

Ja postimi i shkrimtares Elona Gjergo:
Festivali i 58-të i këngës për fëmijë, ishte një organizim i realizuar mrekullisht nga QKF “Mihal Grameno”, Bashkia Korçë.
Është hera e tretë që marr pjesë në këtë festë kaq të bukur fëminore.
Diaspora shqiptare po i forcon më tepër lidhjet me vendlindjen.
Daniela Jano Kote, Belliu Blerta, Bardhi Pojani si gjithmonë artistë në shpirt dhe vlera.
Rea Demiras Ada Avdolli Demiras ishte surpiza dhe qershiza mbi tortë e udhëtimit tim drejt Korçës.
Zamira Pengu je dashuri ❤️(herën tjetër do bëj një këngë për ty, si kalama i lumtur që je )
Çmimi: “Nota e Artë”
Titulli: “Eja të lozim”
Teksti: Elona Gjergo
Muzika: Anthulla Tili
Orkestrimi: Zhani Ilia Llogori
Këndon: Rea Demiras❤️
Ana Qyteti, Korçë 20 Maj 2025
@NewsIn.Al
