Sunday, August 16, 2026
spot_img
HomeAktualitetiKujtesë:” Më 13 gusht 1983, Musine Kokalari mbylli sytë përgjithmonë, e vetmuar”/...

Kujtesë:” Më 13 gusht 1983, Musine Kokalari mbylli sytë përgjithmonë, e vetmuar”/ Nga Prof Lili Sula

Më 13 gusht 1983, Musine Kokalari mbylli sytë përgjithmonë, e vetmuar, në dhomën e saj.

Figurë intelektuale e nivelit perëndimor me bindje politike të pavarura, shkrimtare e spikatur, Musine Kokalari përfaqëson zërat e parë femërorë; ajo artikuloi hapur një alternativë politike demokratike dhe kundërshtoi vendosjen e regjimit komunist, duke mbrojtur lirinë e mendimit, pluralizmin politik dhe të drejtat e njeriut.

Bashkëthemeluese e Partisë Socialdemokrate, në vitin 1944, Musineja u përball me regjimin diktatorial deri në ditën e fundit të jetës – përjetoi ekzekutimin e dy vëllezërve të saj, ndërsa atë vetë e dënuan me 20 vjet burg, që i vuajti në burgun famëkeq të Burrelit. Pas lirimit, u internua në kushte tejet të vështira në Rrëshen, ku jetoi e survejuar dhe e përndjekur deri në ditën që ndërroi jetë – 43 vjet më parë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer intelektuale, politike dhe letrare.

E arsimuar në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë, në Tiranë dhe më pas në Romë, pranë Universitetit La Sapienza, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera, Musine Kokalari u diplomua në vitin 1941 me punimin shkencor kushtuar poetit Naim Frashëri.

Ajo ishte gruaja e parë shqiptare si shkrimtare e botuar; librin e parë, ‘Seç më thotë nënua plakë’, e publikoi më 1941 – një përmbledhje rrëfimesh që sjellin përshkrime të jetës zakonore të Gjirokastrës, duke depërtuar në botën shpirtërore dhe në psikologjinë e banorëve të saj. Vepra shquhet edhe për vlerat e saj të veçanta etnografike. Më 1944 botoi gazetën ‘Zëri i Lirisë’, si dhe përmbledhjen me përralla ‘Rreth vatrës” – rrëfime të ngrohta nga jeta familjare.

“…sa u tund jeta” – vepër kryesore e Musine Kokalarit, që sjell me gjallëri atmosferën e dasmës gjirokastrite, duke përshkruar zakonet, ritet, këngët dhe traditat e saj. Tiparet etnografike të jetës shqiptare, veçanërisht asaj gjirokastrite, karakteristikat e ligjërimit rrëfimor popullor dhe pasuria frazeologjike e së folmes së Gjirokastrës i japin veprës një vlerë të veçantë letrare e kulturore.
Përmes kësaj bote të pasur zakonore e shpirtërore, Musine Kokalari përcjell edhe rolin dhe vlerat e gruas në jetën familjare e shoqërore, duke evidentuar njëkohësisht aspiratat e saj për emancipim.

Musine Kokalari është simbol i gruas që la gjurmë të thella në mendimin politik dhe intelektual shqiptar, ndërsa me krijimtarinë e saj letrare la një shenjë të çmuar në historinë e letrave shqipe.

Ajo do të mbetet figurë themeltare sa herë të flitet për kontributin dhe zërin e grave shqiptare, për pavarësinë e mendimit, intelektualen e palëkundur dhe forcën emancipuese të gruas dhe, mbi të gjitha, për dinjitetin me të cilin u përball me regjimin e kohës.
Pavarësisht burgimit, internimit dhe përndjekjes së vazhdueshme, Musine Kokalari mbeti deri në fund besnike ndaj bindjeve të saj demokratike dhe dinjitetit njerëzor.”

Prof. Lili Sula

Foto nga Muzeu Kokalari

 

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments