Dy punonjës policie janë PEZULLUAR menjëherë nga detyra pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen duke dhunuar një protestues.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita i cili ka urdhëruar të nisë menjëherë hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve të policisë të cilët dhunojnë në mënyrë barbare të riun.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga efektivët e saj.

“Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:
Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme. Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë. Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë. Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, njofton policia.
@NewsIn.Al
