E dëgjoj shpesh formulimin se shqiptarët vuajnë nga diagnoza e kultit të individit. Ulur në një kafene pranë Pazarit të Ri, përballë një sheshi ku një grup fëmijësh luanin me top, me disa miq po diskutonim pikërisht për këtë temë. A vuajnë ose jo shqiptarët nga kulti i individit?!
Dëgjova për një kohë të gjatë argumentet dhe kundërargumentet e miqve të mi dhe më pas ndërhyra me një shembull krejt të thjeshtë që ishte përballë syve tanë;
” Shiheni atë grup fëmijësh. Janë 10 fëmijë. E njëjta moshë dhe po luajnë. Po ta vëresh me kujdes si grup, ti arrin ta dallosh se djali me tutat blu dhe me flokët kaçurrela është ai që udhëheq grupin. Loja u ndërpre dy herë dhe të gjithë fëmijët e tjerë u mblodhën rreth tij. Ai nuk është më i madh se ta. Nuk u thirri fëmijëve të tjerë që të mblidheshin rreth tij. Ai ka thjesht atë autoritet natyror që quhet ” Aura e liderit” dhe prania e tij përcjell besim dhe motivim.
Po ta zhvendosim bisedën nga kjo lojë e thjeshtë fëmijësh dhe të kthehemi mbrapsht në kohën e gjimnazit dhe të shqyrtojmë personazhet e grupeve tona shoqërore, do të kuptojmë se ndonëse nuk e kemi kuptuar asokohe, çdo grup shoqëror ka pasur një individ të përveçëm me aurën e liderit që zakonisht jepte ide për destinacionin kur liheshin orët e mësimit.
Po të vazhdojmë udhëtimin dhe të presim biletën për t’u rikthyer në të tashmen dhe të ndalemi te togëfjalëshi perëndimor ” punë në grup” do të kuptojmë se te procesi i ashtëquajtur ” pune në grup” ekziston gjithmonë individi që është truri i grupit, tek i cili përplasen sytë dhe shikimet e grupit përballë një situate të vështirë të punës përmes një pyetjeje krejt të thjeshtë; Çfarë do bëjmë?! Ndonëse në fund të çdo projekti të përmbyllur në nje punë në grup, firmos i tërë grupi i punës, ka gjithmonë një firmë që rëndon më shumë se firmat e tjera për shkak të udhëzimeve dhe energjisë që ka lëshuar në çaste të vështira.
Thënë shkurt, individi lind bashkë me aurën e liderit që lidhet me tipare të caktuara të gjenit dhe të karakterit. Çfarë mjedisi i rezervon ekzistenca për ta zhvilluar këte aurë apo për ta lënë në heshtje, kjo është një çështje tjetër që kërkon diskutim të përveçëm, por një gjë është e sigurt, që djali me tutat blu dhe flokët kaçurrela përballë syve tanë ka lindur me një aurë të përveçme e cila do ta shoqërojë gjithë jetën në çdo profesion që do të kryejë.
Post Scriptum- Autoriteti i natyrshëm i një individi nuk është domosdoshmërisht kult. Është thjesht aura e tij.
Elona Caslli

