Edhe sot nuk i them “Lëndina e Lotëve”,por “Lëndina e Lodrave”. Se rreth këtij shatrivani në Korçë u suall fëmijëria dhe rinia ime e hershme.
Agim Xhafka
Nuk kisha as patina,as biçikletë,madje as një fugë të thjeshtë. Loja e vetme qe vrapini rreth këtij pesëkëndshi kaq të bukur. Vrapoja ose me kokën lart në qiell e vetja më dukej qendra e botës,ose zhytesha në ëndërrime dhe atë çast më dukej sikur kërceja nga toka në kozmos. Kjo lëndinë ishte dëshmitarja e rritjes,syri që shihte ndryshimet që pësoja. Qe si ajo ana e derës te shtëpia ku matesha dhe shkruaja centimetrat. Me këtë shatrivan bisedoja kur zemra e shtoi ritmin e kur stomaku më prodhoi aq e aq flutura. Aty,te ai uji kristal,qaja brengat si të ishte papu i katedrales ku rrëfeheshin njerëzia. Ika,por kokën e mbajta pas. Te prindërit,por dhe te shatrivani. Nga që e pata shok,madje nga ata shokë që i kyçin sekretet e tua.
Tani në Korçë te pallati nuk ka zëra fëmijësh. Të vegjëlit me prindërit u nisën nga kjo Lëndinë për Selanik. Po shatrivani sikur e ka shtuar ujin krahasuar me ca vite më parë. Nga që ka mbledhur te ai oaz i vogël edhe lotët e të larguarve. Sa herë afrohem te shoku im i flas. Për veten sigurisht. Por dhe ai më tregon për veten e tij. Pa fjalë,por nga që njihemi mirë ia përkthej ato zhurmat që lëshojnë ujvarat e vogla të tij. Janë pasthirma që më lumturojnë shumë. Gëzohet shatrivani që më sheh. Lumturohem dhe unë e bëj foto me të. Që ta kem pranë dhe në Tiranë. Ta vendos te komoja e dhomës së gjumit,bashkë me foton e babait e të nënës . Që para se të fle t’u them të treve,”Natën e mirë të shtrenjtët e mij!”
Agim Xhafka_ Korçë
@NewsIn.Al

