Një profesor i letërsisë angleze me një karrierë të gjatë politike që arriti deri në postin e Zëvendëskryeministrit. Një ish-politikan “shumë i talentuar”, me njohuri të thella për ekonominë, financat, të drejtën dhe aq shumë shkenca e arte, por mbi të gjitha, me njohuri të thella për korrupsionin si një “pjesë e spikatur” e tij.
Një “i gjithëditur ndriçues” që fajëson të gjithë dhe gjithçka, por veçanërisht qeverinë dhe Partinë Socialiste, partinë që ai i shërbeu. Sipas tij, të gjithë janë të korruptuar, ose më saktë, shumica, përveç vetes së tij, “pëllumbit të pafajshëm”.
Një Pilat i Poncit modern. Një i arratisur nga drejtësia shqiptare që shijon një jetë luksi në Zvicër, duke shpenzuar padyshim paratë e popullit shqiptar.
Akuza të rënda, kryesisht ndaj Kryeministrit, por edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij ndër vite. Personalisht, nëse do të isha një nga të akuzuarit, do të kisha ngritur padi për shpifje. Gjëja e çuditshme është se, përveç vetes, nuk la asnjë jashtë akuzave.
Të gjitha ato dokumente që ai shpalosi mbi dhe nën tavolinë, për të cilat dyshoj nëse kanë ndonjë vlerë ligjore, pse nuk i dërgon në SPAK për t’i ndihmuar në hetimet e tyre? Edhe posta ekziston.
Një tjetër gjë që më tërhoqi vëmendjen nga intervista e tij është sugjerimi i tij për të ndjekur paratë, “follow the money”, siç tha ai. Por pikërisht këtë po bëjnë dhe këtë bënë edhe në rastin e tij, prandaj sot është i kërkuar. Çfarë kërkon sot tigri i dikurshëm i fuqishëm? Të shmangë dënimin. Sipas akuzave që rëndojnë mbi të, ai ka mashtruar votuesit e tij dhe popullin shqiptar, duke i vjedhur gjatë gjithë këtyre viteve.
Fatkeqësisht për të, ekzistojnë prova për krimet e tij dhe intervistat nuk do ta shpëtojnë. Drejtësia nuk bazohet në dokumente të pavlefshme, thashetheme dhe llafe, por në prova të mirëfillta. Vetë arratisja e tij jashtë vendit, në thelb, i ka hequr atij prezumimin e pafajësisë. Deklaratat për rrezik jete, nëse burgoset, duhet ta dinte tashmë që burgjet shqiptare nuk janë as kafene dhe as bare, por institucione korrektuese. Por, pse ka kaq shumë frikë? Çfarë të keqe ka bërë që të duan ta vrasin? Me siguri diçka ka bërë, përndryshe nuk shpjegohet kjo frikë. Ato që thotë jashtë, le t’i thotë edhe brenda. Ai tashmë ka folur, prandaj është në rrezik edhe aty ku ndodhet, pasi lëviz lirshëm.
“Udhëtim të mbarë” në rrugën e paligjshme që ke zgjedhur, por ji i sigurt se një ditë do të japësh llogari para drejtësisë ose para gjykimit hyjnor.
Gjithashtu, diçka e fundit si një post scriptum: mos na lodh me intervista të pakuptimta që ushqejnë kanalet mediatike, përveç nëse paguhesh për këtë.

Les Miserables
@NewsIn.Al

